Mijëra besimtarë myslimanë të kryeqytetit dhe jo vetëm, falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë u tubuan në sheshet dhe xhamitë kryesore të çdo qyteti tjetër të vendit tonë, duke festuar kështu përfundimin me sukses të një muaji maratonë në aspektin e adhurimeve.
Programi i Fitër Bajramit në shesh filloi që në orët e para të mëngjesit me leximin e disa ajeteve nga Kur’ani Famëlartë, të cilat u përcollën për besimtarët e pranishëm nga hafizi, Enes Hyka.
Fill pas leximit të Kuranit Fisnik, ishte radha e fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të ndryshme urimi, paqeje dhe mirëkuptimi.
“Kjo ditë e bukur Bajrami është një mundësi që t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të shprehim frymën e përkrahjes, solidaritetit dhe forcimin e mëtejshëm të vëllazërisë.” – veçoi ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, kryetari Spahiu, nuk la pa përmendur dhe bëri thirrje reflektimi për disa nga plagët më të rënda sociale nga të cilat po vuan shoqëria jonë sot.
“Po jetojmë në një kohë krize morale, krizë e cila kërkon përkushtim, vëmendje, besim dhe mbështetje te Zoti për t’u tejkaluar. Gjithashtu dhuna brenda familjes është një fenomen që të trazon shpirtin. Njerëzve që kanë humbur durimin ju bëj thirrje të ndalin agresivitetin, të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer kah e mbara, kah rruga e Zotit. Nuk mund të lë pa përmendur edhe fenomenet si emigracioni apo ulja e lindshmërisë që po e mpakin familjen. Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme, garanci për të rinjtë, përkujdes për të moshuarit dhe solidaritet e mbështetje për të varfërit e të pamundurit.” – theksoi kryetari Spahiu.
Programi i Fitër Bajramit vijoi më tej me ligjëratën e rastit nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, i cili ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të ndryshme referuar muajit të bekuar të Ramazanit, përfundimin e të cilit e kremtuam sot me namazin e Bajramit.
“Ky Bajram është ditë gëzimi për të gjithë ne, pasi për 30 ditë Ramazani jemi munduar fort të përmirësojmë lidhjen tonë me Zotin, i qëndruam stoik në kryerjen e ibadetëve, kontrolluam egon, u kujdesëm për shikimin e të folurit, shfrytëzuam në mënyrë të vlefshme kohën, u bëmë të dobishëm për veten, familjen e njerëzit në nevojë. Të gjitha këto janë triumf dhe arritje për çdo besimtar, si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër. Prandaj, vëllezër dhe motra, të vazhdojmë së punuari vepra të mira edhe pas Ramazanit. Zoti na mundësoftë të jemi adhurues të denjë të Tij dhe njerëz të dobishëm për njëri-tjetrin!” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Programi kulmoi me faljen e namazit të Fitër Bajramit, ku mijëra besimtarët e mbledhur në shesh i priu kryetari i komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hutben e Bajramit, e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja.
Gjatë hutbes, myftiu Teqja theksoi Bajramin si një ditë festi e triumfi dhe u lut për më shumë paqe, harmoni e solidaritet në mesin tonë.
“Është dita të falim e të tolerojmë nëse duam të na falë Zoti, të shkojmë dhe t’u zgjasim dorën atyre me të cilët deri dje nuk flisnim sepse kjo është festa e vërtetë. Le të shërbejë kjo ditë si shembull i mirë për shoqërinë dhe një kurim i plagëve që ajo po merr çdo ditë nga ikja e rinisë, dhuna ndaj grave e vajzave dhe vetmia e moshës së tretë. O Zot i Mëshirës dhe Faljes, forcoji zemrat tona në fe! Mbushi zemrat me besim! Udhëzona ne, familjet tona, shoqërinë tonë!”- theksoi Myftiu në fjalën e tij.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.