Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë, zhvilluan sot konferencën hapëse të projektit të ri: “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”.

Ky projekt, i 3-ti radhazi i organizuar në llojin e tij, mbështetet financiarisht nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe konsiston në zhvillimin e një sërë aktivitetesh ndërkulturore, takime të drejtpërdrejta, seminare apo workshope me të rinj në mbarë territorin e vendit tonë. E gjitha kjo, me qëllim promovimin e vlerave demokratike dhe nxitjen e qytetarisë aktive në shoqëri, shpalosjen e njohurive mbi të drejtat e njeriut, shpalosjen e detyrave dhe përgjegjësive qytetare si dhe promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis të rinjve.

Në konferencën hapëse të këtij projekti, të zhvilluar sot në ambientet e “Hotel Tirana”, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, znj. Leyla Moses-Ones, si dhe Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve, znj. Loreta Aliko.

Pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe Ambasadën e SHBA-ve për zhvillimin e  projektit të 3-të radhazi në promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, u ndal në sfidat dhe angazhimin e institucionit në përpjekjet kundër çdo lloj forme të ekstremizmit, për ti dhënë shoqërisë shqiptare frytet e harmonisë dhe bashkëjetesës.

“Ne jemi të vetëdijshëm, se ekstremizmi i dhunshëm është mishërimi i padrejtësisë sepse kërkon ose shtyn njerëzit të ndërmarrin akte të dhunshme. Besimi Islam, Kur’ani dhe Tradita Profetike na sqarojnë shumë qartë frymën e kësaj feje, e cila në thelbin e saj përmban paqen, sigurinë, vëllazërinë, diversitetin, lirinë, drejtësinë, bashkëjetesën fetare dhe e ndalon dhunën, radikalizimin dhe ekstremizmit e çdo lloj forme. Në vitet e fundit KMSH ka ndërmarrë një sërë iniciativash konkrete dhe po implementon projekte për të parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm, këtë gjë e dëshmon qartë edhe projekti i 3-të radhazi që fillon punën që nga dita e sotme.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej, të pranishmit i përshëndeti edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës, znj. Leyla Moses-Ones, e cila vlerësoi punën e vazhdueshme të KMSH-së në edukimin e brezave të rinj me frymën e duhur të bashkëjetesës në shoqërinë e përbashkët shqiptare si dhe shprehu mbështetjen e Ambasadës në projekte të tilla të ngjashme.

“Ne si ambasadë jemi krenarë për partneritetin dhe iniciativën e re që KMSH ka ndërmarrë. Partneriteti i Ambasadës së SHBA-ve me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në këtë fushë do të vazhdojë me projekte të tjera të ngjashme, duke qenë se edhe në dy vitet e para ky projekt pati sukses, pasi ky institucion mbetet një zë i besueshëm në shoqërinë shqiptare.” – tha znj, Moses në fjalën e saj përshëndetëse.

Më tej ishte radha e znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror të Kulteve të ndante me të pranishmit rëndësinë e zbatimit të këtij projekti në mesin e brezave të rinj.

“Aktivitete të tilla si i sotmi, nuk duhet të mbeten thjeshtë në letër por të përkthehen në projekte që t’i shërbejnë qëndrueshmërisë komunitare. Vlerësoj iniciativën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe uroj e shpresoj, që nga kjo konferencë të dalin propozime konkrete që të ndikojnë bindshëm në këtë proces, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë e rritur institucionale të shtetit shqiptar.” – tha znj. Aliko.

Konferenca vazhdoi punimet e saj me sesione të tjera ku u diskutuan një sërë tematikash aktuale dhe implementimi i zgjidhjeve më të mira të mundshme në përballjen e përditshme me këto fenomene.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë