Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në cilësinë e “Presidentit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë” në ceremoninë e përkujtimit të 50-të vjetorit të revoltës së të burgosurve të burgut famëkeq të Spaçit.

Në këtë ceremoni, e cila u zhvillua në ish-kampin e burgut të Spaçit, ishin të pranishëm një sërë figurash publike, veçojmë këtu Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shtz. Bajram Begaj, krerët e komuniteteve fetare të vendit, akademikë, historianë, ish-të burgosur politik, si dhe familjarë e qytetarë të shumtë të zonës së Rrëshenit.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Spahiu, pasi falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj ceremonie përkujtimore, u ndal shkurtimisht në historikun e kësaj revolte, duke nxjerrë në pah vuajtjet e kobshme që karakterizojnë të burgosurit e këtij kampi të zymtë, paçka se u dënuan nga regjimi për faktin e vetëm se ishin intelektualë të kalibrit të parë.

“Këto male janë dëshmitarë të asaj se çfarë ka qenë regjimi komunist. Një regjim brutal. Më i egri në botë, aq sa arriti të privojë njerëzit nga besimi në Zot. Revolta e Burgut të Spaçit është njëra nga dy ngjarjet më kryesore të rezistencës ndaj regjimit diktatorial në Shqipëri, bashkë me atë të Qafë-Barit. Të dënuarit e këtij burgu kanë qenë shkrimtarë, ekonomistë, studiues, klerikë, etj, por i tillë ka qenë ai regjim, të vriste po të mendoje. E megjithatë, thirrja “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë” e këtyre burrave kumbon edhe sot e kësaj dite në këto anë. Zoti i mëshiroftë të gjithë ata që kanë dhënë jetën për të thënë fjalën e lirë e ata që kanë dhënë jetën për të besuar në Zot.”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Presidenti i Republikës, z. Begaj, në fjalën e tij, u shpreh se sot kujtojmë 50 vite nga Revolta e Spaçit, vendi ku diktatura komuniste shtypi të gjithë njerëzit e lirë, të cilët u vetëmohuan për të mbrojtur vlerat që shoqëria jonë gëzon sot.

Më tej, ky aktivitet përkujtimor vijoi me një dramatizim të shkurtër të Revoltës së Spaçit nga nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit.

Të pranishmit u zhvendosën më tej në një prej godinave të këtij burgu famëkeq, ku u njohën me ekspozitën “Jeta në Spaç”, ekspozitë kjo e përbërë prej 50 skicave të detajuara nga përditshmëria e të burgosurve dhe puna e rëndë në minierë.

Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën dokumentarin e përgatiur me këtë rast, dokumentar i cili hedh dritë mbi dëshmi dhe rrëfime ekskluzive nga ish të burgosur mbi revoltën e Spaçit.