Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një vizitë kortezie në selinë e institucionit, z. Delanyo Adadevoh, Kryetar i Forumit Afrikan për Religjionin dhe Qeverisjen, i shoqëruar ky i fundit nga z. Ylli Doçi, Drejtori Ekzekutiv i ILF (International Leadership Foundation) për Europën.

Bashkëbisedimi ndërmjet palëve u fokusua në frymën e harmonisë ndërfetare dhe bashkëpunimit që karakterizon marrëdhënien ndërmjet institucioneve fetare në vendin tonë.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, pasi ju uroi mirëseardhjen të lartëpërmendurve, ndau me ta një rezyme të shkurtër të kontributit të KMSH-së dhe institucioneve në varësi të tij në ruajtjen e harmonisë ndërfetare, kultivimin e solidaritetit dhe promovimin e vlerave që synojnë përmirësimin e shoqërisë në çdo aspekt.

Ndërsa z. Adadevoh, vlerësoi angazhimin institucional dhe personal të krerëve të komuniteteve fetare të vendit tonë si mjaft të rëndësishëm në shembujt që u serviren brezave të rinj. Sipas tij, ky është kontributi më i rëndësishëm në trashëgimin e vlerave më të larta njerëzore.

Më tej, z. Doçi, shprehu kënaqësinë e të qenit pjesë e kësaj fryme dhe kontributor i drejtpërdrejtë në këtë aspekt.

Takimi u zhvillua më tej në formën e një bashkëbisedimi të lirë mes palëve.