[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=2nB89NoMjWQ&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]

Në kuadër të festave të nëntorit, Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë organizoi programin artistik: “Gruaja, dora e artë e shoqërisë”, si finalizim i konkursit me punime artistike me të njëjtin emër.

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, në Komunitetin Mysliman Fatma Karaj, në fjalën e saj u shpreh se qëllimi i aktivitetit është rikthimi i traditës shqiptare.

“Gruaja, me fuqinë, potencialin, aftësinë, kontributin e saj intelektual shpirtëror dhe material, ka ditur të vërë veten në dukje dhe të zërë vendin e duhur në fusha të ndryshme. Dhe një ndër këto fusha përbën edhe temën e aktivitetit tonë të sotshëm. Gruaja përveçse është quajtur figurë qendrore në familje dhe shoqëri, ajo është cilësuar edhe si duarartë. Një arsye tjetër arsye është edhe nxitja nga besimi. Islami, na mëson që e bukura dhe arti të respektohet e të zhvillohet.”, tha znj. Karaj.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Ali Zaimi, i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se gruaja është një gur themelor i nderit dhe fisnikërisë shqiptare.

“Në kulturën tonë tradicionale dhe kombëtare, gruaja shqiptare karakterizohet nga urtësia në sjellje, nga brishtësia dhe delikatesa në shpirt. Ajo është padyshim një gur themelor, i shëndoshë i nderit dhe fisnikërisë kombëtare.”, tha z. Zaimi.

Ndërsa sa i përket këndvështrimit islam, nënkryetari Zaimi u shpreh se gruaja konsiderohet një heroinë dhembshurie.

“Në këndvështrimin Islam, por edhe atë kombëtar, gruaja konsiderohet si një heroinë dhembshurie dhe është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb.  Këto aktivitete shërbejnë për të treguar se feja islame i inkurajon gratë, që në përshtatje edhe me natyrën, delikatesën dhe brishtësinë shpirtërore që i karakterizon, të luajnë rol sa më aktiv në shoqërinë tonë.”, nënvizoi nënkryetari Zaimi.

E ftuar speciale në  program ishte edhe aktorja e madhe  shqiptare, Tinka Kurti, e cila emocionoi të pranishmit me interpretimin e saj. Ndërkohë programi ka vijuar me interpretimin e këngëve nga Myfarte Laze, grupi isopolifonik, këngëtarët dhe valltarët  e ansamblit të shtetit.

Më pas u shpërndanë edhe çmimet fituese të konkursit “Gruaja, dora e artë e shoqërisë”.

I pranishëm ishte edhe kancelari i komunitetit mysliman, Ylli Cikalleshi, si dhe drejtori i medias, Oltion Kola.

Në fund të programit u bë edhe çelja e ekspozitës me punime të ndryshme artistike, artizanale, ku morën pjesë gra dhe vajza nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

24 nëntor 2015