IMG_3463

 

Me moral përsoset njeriu, me moral rregullohet bota, ishte kjo motoja e cili hapi simpoziumin me temë “Morali”, organizuar të Premten (20 Dhjetor 2013) nga Zyra e Gruas në KMSH.

Programi u hap me këndim Kurani, më pas moderatorja e simpoziumit teksa nënvizoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla u shpreh se, sot, në vrullin e jetës moderne, njerëzit kanë filluar të harrojnë disa norma morale bazë, norma këto të cilat janë tepër të rëndësishme për mbarëvajtjen e familjes dhe shoqërisë.

Më pas Përgjegjësja e Zyrës së Gruas znj. Fatma Karaj, foli mbi moralin islam dhe lidhjen e tij me imamin dhe adhurimet.

Ajo u shpreh se kur flasim për moralin islam, padyshim që i pari që na vjen ndërmend është Profeti Muahmed. “Sjellja e Profetit Muhamed a.s., fjala e tij, veprat e tij, e veshën  me mëndafshin e moralit më të përsosur gjithë atë periudhë në atë cilën ai jetoi. E sot, ne duhet të ndjekim rrugën e tij, nëse duam një familje të lumtur, nëse duam një shoqëri më të mirë, ku të respektohen normat morale njerëzore”, u shpreh znj. Karaj.

Ajo gjithashtu theksoi se duke ndjekur rregullat dhe urdhrat që feja islame na i ka paraqitur përmes Kuranit dhe Traditës Profetike, do të kemi një shoqëri më të mirë dhe më të denjë. “Në përfundim dua të theksoj se  ligjet e Zotit në Kuran, rregullojnë çështjen e besimit, moralit, edukatës, veshjes, punës e marrëdhënieve bashkëshortore”, u shpreh më tej znj. Karaj.

Ndërsa avokatja Mirela Jorgo, e ftuar në këtë aktivitet, trajtoi temën “Morali, Etika dhe Ndërgjegjja”.

Ajo u shpreh se morali është mësim ose shfaqje e mirësisë ose përpikërisë së karakterit të njeriut, etika është ajo e cila studion moralin, parimet, normat dhe rregullat e sjelljes së njerëzve në shoqëri, ndërsa ndërgjegjja është ajo çka ne mendojmë për veten e për shoqërinë.

Sipas saj morali është një ndjenjë, por që nuk lind vetvetiu, kjo ndjenjë është brenda nesh, rritet dhe zhvillohet në bazë të realitetit ku jetojmë, familja, vendi, shoqëria, eksperiencat e ndryshme e padyshim në formimin e një morali të pastër ndikon edhe feja dhe besimi.

Gjithashtu  avokatja Jorgo vuri theksin në moralin publik si nevojë jetike për shoqërinë. “Çdo shoqëri, qysh në hapat e parë të saj, ka nevojë, për rregulla e sidomos për t’u cilësuar ç’është e mirë e ç’është e keqe, pasi vetëm kështu do të jetë në gjendje të garantojë mbijetesën e saj”, nënvizoi znj. Jorgo.

Në përfundim të këtij simpoziumi u arrit në konkluzionin se besimi dhe feja islame, luajnë një rol të madh dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rregullimin e sjelljes dhe moralit të njeriut. Kush do që ta përsosë moralin e tij, shembulli më i përkryer, të cilit të gjithë ne, duhet t’i referohemi, është shembulli i Profetit Muhamed a.s.

Aktiviteti i cili u organizua në ambientet e Universitetit Bedër, mblodhi dhjetëra gra besimtare të kryeqytetit. Në përfundim, për të pranishmet u shtrua një koktej dhe u shpërndanë revista “Drita Islame”

20 Dhjetor 2013

IMG_3392IMG_3420 IMG_3406  IMG_3496  IMG_3490 IMG_3596 IMG_3602