“Profeti Muhamed a.s. – Shembulli më i bukur”

Përfaqësuese të Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, zhvilluan një takim me gratë besimtare të Shkodrës, ku u fol mbi jetën dhe shembullin e Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të.

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH, zj. Fatma Karaj theksoi se profeti Muhamed, ishte dhe është mëshirë për botët.

“Ajetet kur’anore e përshkruajnë atë si mëshirë për botët. Kjo sigurisht që është një dhunti, një mirësi dhe urtësi, por në të njëjtën kohë është dhe një përgjegjësi të cilën Profeti Muhamed (a.s.) e përfaqësoi në mënyrën më të bukur, duke u bërë shembulli më i shkëlqyer, ku njerëzimi të frymëzohet, të motivohet, si dhe të referohet për të mirën, të drejtën dhe virtytet.” tha ajo.

Ndërsa përfaqësuesja tjetër e kësaj Zyre, Nadia Lika, nënvizoi faktin se në tërë jetën e Profetit Muhamed a.s., ai zgjodhi dhe jetoi rrugën e mesme.

“Në gjithçka ai ishte në rrugën e mesme, ai kurrë nuk ishte dhe nuk bëri pjesë në as një ekstrem, por zgjodhi, jetoi dhe këshilloi rrugën e mesme. Padyshim që në çdo punë e mesmja është zgjidhja më e mirë. Ne si myslimane më shumë se kushdo tjetër duhet të jemi në këtë rrugë, duke ndjekur shembullin e më të përkryerit të njerëzimit, Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të”, tha znjsh. Lika

Takimi i cili u zhvillua në ambientet e xhamisë së Parrucës, u hap me leximin e disa ajeteve nga Kur’anit Famëlartë nga përfaqësuesja e kësaj zyre, Ana Haxhiu. Gjatë kësaj vizite përfaqësueset e Zyrës së Gruas kanë zhvilluar edhe një takim në Medresenë e Shkodrës si dhe Xhaminë e Ebu Bekrit.

29 Prill 2015

zyra gruas shkoder (1)zyra gruas shkoder (3) zyra gruas shkoder (2)