100 vjet nga çelja e “Strehës Vorfnore” në Tiranë dhe 90 vjet nga ndarja nga jeta e Zyber Hallullit.

Zyber Hallulli, i quajtur nga populli i Tiranës edhe “babai i jetimëve”, lindi në Tiranë më 1842 dhe rridhte nga një familje autoktone me tradita fetare e patriotike. Kishte 6 fëmijë, nga të cilët 4 djem dhe 2 vajza.

Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në shkollën e mesme “Ruzhdie” të vendlindjes. Më pas vazhdoi shkollën e lartë për teologji dhe filozofi në Stamboll.

Gjatë kësaj kohe ai ra në kontakt me patriotë të kolonisë shqiptare të Stambollit, u brumos me idetë patriotike për lirinë kombëtare, si edhe për mbrojtjen e trojeve tona nga synimet grabitqare të shteteve ballkanike.

Idetë e mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lufta heroike e popullit tonë për mbrojtjen e trojeve të veta nga synimet serbo-malazeze, lëvizjet e viteve 1910-1912 për shpalljen e pavarësisë, u bënë fenerë ndriçues në veprimtarinë e tij praktike.

Zyber Hallulli, me t’u kthyer në atdhe, iu përkushtua me pasion hapjes së shkollës shqipe dhe mësimit të besimit islam, jo vetëm në Tiranë por edhe në fshatra si Shëngjergj, Mullet, Petrelë, Linzë, Zall Bastar, etj sepse sipas tij pa çlirim mendor e shpirtëror, nuk mund të bëhej çlirimi kombëtar.

Si klerik Mysliman, u caktua në krye të Bashkisë së Tiranës, jo me votim, por i zgjedhur nga pleqësia e burrave, pasi në kushtet e vështira të viteve 1912 – 1913 kur qyteti ishte nën okupacionin e ushtrisë serbe dhe reprezaljeve të bashibozukëve, Zyber Hallulli ishte Myftiu i Tiranës, ishte personi më i përshtatshëm që mund të garantonte sado pak vijueshmërinë e administratës lokale shqiptare, që kërcënohej në çdo moment.

Si kryetar bashkie i Tiranës, ai e mbështeti fort deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë duke i forcuar edhe më tej raportet e mira që kishte me qeverinë e Vlorës. Krahas shumë detyrave të tjera të mëdha, i lindi ideja e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve jetimë, të cilët për rrethanat historike që po kalonte kombi ynë, ishin shtuar shumë.

Veprimtaria e tij gjatë drejtimit të bashkisë së Tiranës ishte kryesisht humanitare. U siguronte vazhdimisht lagjeve të varfra ushqime dhe veshmbathje, tregoi një kujdes të veçantë edhe për vajzat e këtyre familjeve duke iu siguruar atyre deri pajën e martesës.

Ngritja e “Strehës Vorfnore” kërkoi ngritjen e një komisioni me bamirës të njohur të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin fetarë, përfaqësues të parisë, tregtarë e zejtarë, që do të financonin veprimtarinë e këtij institucioni.

Më 28 nëntor 1917, me rastin e 5 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me patriotët Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Ismail Ndroqi, Luigj Shala dhe Xhelal Toptani, hapën për herë të parë këtë institucion, duke grumbulluar fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim krahine e besimi fetar.

Ky “baba i jetimëve” aq shumë iu përkushtua “Strehës Vorfnore”, saqë me dëshirën dhe vullnetin e tij, para se të vdiste, i dhuroi asaj të gjithë pasurinë e vet personale.

Zyber Hallulli ndërroi jetë më 1927. Ai kujtohet me respekt e nderim nga banorët e Tiranës, si vazhdues i denjë i patriotëve fetarë paraardhës.

Shtëpia e Fëmijës sot në Tiranë mban emrin e Zyber Hallullit, një nga dijetarët dhe hoxhallarët e shquar myslimanë shqiptarë.

Për kontributin e tij të vyer, Zyber Hallulli, është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, me çmimin “Naim Frashëri”, gjithashtu ai është dekoruar edhe nga Prefekti i qarkut të Tiranës, Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit etj.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=kT6wZzhquIY&t=116s” width=”560″ height=”315″]