Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi Trajnimin e Parë Shkencor Fetar në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite.

Në ceremoninë e hapjes, njëkohësisht edhe ditën e parë të trajnimit, ishin të pranishëm H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Amir al-Anezi, Atasheu Fetar i Mbretërisië së Arabisë Saudite në Bosnje, Dr. Fehd el-Fuhejd, profesori trajnues i seminarit, Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, si dhe imamë, hoxhallarë, muezinë të shumtë të Myftinisë Tiranë dhe Elbasan.

Në fjalën e tij hapëse, Kryetari Spahiu, pasi ju uroi të pranishmëve mirëseardhjen në këtë trajnim fetar tre ditor, tha se bashkëpunimi jonë i ngushtë sa i përket çështjeve fetare, aspektit të përgatitjes së kapaciteteve dhe infrastrukturës, është tregues i një rëndësie të veçantë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

“Islami është feja e dijes dhe diturisë gjithëpërfshirëse. Ajeti i parë që i është shpallur Profetit Muhamed (a.s.) nga Kurani është një urdhër për të lexuar dhe një ftesë drejt dijes e diturisë. Qëllimi ynë është që edhe ne t’i përshtatemi kohës, pasi feja jonë nuk e përjashton shkencën, teknologjinë apo çdo mirësi tjetër përparimtare në shërbim të thirrjes në Islam.” – u shpreh ndër të tjera ai.

Më tej, ceremonia e hapjes vijoi me fjalën përshëndetëse të Atasheut Fetar të Mbretërisië së Arabisë Saudite në Bosnje, z. Amir al-Anezi, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me KMSh-në, bashkëpunim i cili është fryt i punës së nisur që në vitin 2019 dhe që synon të konkretizohet edhe më tej në të ardhmen me zhvillimin e konferencave, konkurseve të Kuranit, etj.

Pas fjalës përshëndetëse të Atasheut, trajnimi vijoi me referimin e Dr. Fehd el-Fuhejd, mbi dy vepra, njëra mbi besimin dhe tjetra mbi etikën dhe vlerën e dijetarëve. Referim i cili vijoi për tri ditë me radhë në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”.

Pjesë e këtij programi të organizuar nga KMSh ishin edhe ligjëratat fetare të mbajtura nga Dr. el-Fuhejd në xhami të ndryshme të kryeqytetit.

Në ceremoninë e mbylljes së këtij trajnimi, e cila u zhvillua ditën e djeshme, u shpërndanë edhe certifikatat e pjesëmarrësve për të pranishmit në trajnim nga Kryetari Spahiu, Atasheu Amir al-Anezi dhe Dr. Fehd el-Fuhejd.

Ky trajnim erdhi në kuadër të marrëveshjes së firmosur më herët ndërmjet dy institucioneve, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, marrëveshje e cila parashikon zhvillimin e një sërë aktivitetesh të tilla të përbashkëta.

Në këtë program morën pjesë rreth 100 imamë nga myftinia e Tiranës dhe ajo e Elbasanit, me synimin që në trajnimet e radhës harta e përfshirjes të zgjerohet edhe më tej.