Zyra e Haxhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi një seminar informues mbi rëndësinë, mirësitë dhe kushtet e haxhit me besimtarët që pritet të nisen drejt vendeve të shenjta këtë vit për të kryer këtë ritual.

Koordinatori i haxhit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, së bashku me dy imamët, Erjol Haxhiu, Shpëtim Seranaj, si dhe me përfaqësues të stafit mjekësor që do të udhëtojnë me besimtarët, ndanë me të pranishmit udhëzimet dhe porositë e fundit para nisjes.

Një pikë tjetër e këtij seminari ishin edhe veshja e ihramit, specifikat e qëndrimit në Mina, Arafat, Muzdefilfe, hedhja e gurëve në xhemarat, kryerja e tavafit, saji ndërmjet kodrave Safa-Merve, shkurtimi i flokëve, etj.

Ky seminar u zhvillua në dy data të ndryshme, i pari më 1 qershor në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, ndërsa i dyti u zhvillua ditën e djeshme në Medresenë e Tiranës, po ashtu ky seminar u transmetua nëpërmjet platformave online për të gjithë besimtarët që nuk mundën të merrnin pjesë fizikisht.

Më herët edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, zhvilloi një takim me murshidët që do të udhëheqin haxhinjtë e këtij viti në Mekke dhe Medine.

Në fjalën e tij drejtuar murshidëve, kryetari Spahiu, theksoi rëndësinë dhe veçantinë e shërbimit ndaj mysafirëvë të Zotit, si në aspektin fetar po ashtu edhe në atë institucional.

Njoftojmë se udhëtimi drejt vendeve të shenjta do të kryhet me charter, në datat 9 dhe 10 qershor.