Myftinia e Kavajës zhvilloi ditën e djeshme programin festiv “Fllade Ramazani” me rastin e afrimit të muajit të Bekuar të Ramazanit.

I zhvilluar në qendrën kulturore të Rrogozhinës, ky aktivitet mblodhi së bashku dhjetëra besimtarë e besimtare, përfaqësues të pushtetit lokal, imamë e hoxhallarë të shumtë, veçojmë këtu, H. Bujar Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Besnik Leçini, Myftiu i rrethit Kavajë, z. Edison Memolla, kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, etj.

Programi nisi me leximin e disa ajeteve Kuranore, për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit Spahiu, i cili pasi falenderoi organizatorët për këtë tubim kaq domethënës, u ndal në kontekstin fetar e social të këtij muaji kaq të madh, nga i cili na ndajnë vetëm pak ditë.

“Të dashur besimtarë. Feja jonë është mënyrë jetese. Ashtu janë edhe adhurimet. Secili adhurim ka specifikën e tij dhe na mban gjithmonë larg gjynaheve. Por, më e rëndësishmja në Islam është sinqeriteti dhe nijeti. T’i lutemi Zotit që Ramazani të na gjejë shëndoshë e mirë. T’i lutemi Zotit që ta agjërojmë ashtu siç duhet këtë muaj dhe të përfitojmë falje e mëshirë nga Ai.” – tha z. Spahiu  gjatë fjalës së tij.

Më tej fjalën e mori Myftiu i Kavajës, z. Leçini, i cili shprehu falenderim të veçantë për organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë program kaq të dobishëm në edukimin dhe ndezjen e një atmosfere shpirtërore të veçantë në prag të muajit të Bekuar të Ramazanit për besimtarët e Rrogozhinës.

Më tej programi vazhdoi me ligjërata të tjera fetare.

Përgjatë gjithë programit, grupi i nxënësve të kurseve fetare ndanë për të pranishmi ilahi të ndryshme kushtuar këtij muaji të begatë.