Ditën e sotme, në Shëtitoren “Murat Toptani” u hap panairi i bamirësisë “Kënaqësia e Zotit është e fshehur në kënaqësinë e të varfërve dhe nevojtarëve”, organizim i Zyrës së Gruas pranë Komuniteti Mysliman të Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

Panairi u organizua në kuadër të aktiviteteve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e festave kombëtare të pavarësisë dhe çlirimit të vendit, 28-29 nëntorit.

Qëllimi i këtij panairi ishte promovimi i ushqimeve tradicionale shqiptare, të ardhurat financiare të grumbulluara nga shitja e produkteve do t’u shkojnë familjeve në nevojë.

Fjalën e hapjes e mbajti përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH, znj. Fatma Karaj.

Zonja Karaj në fjalën e saj falënderoi pjesëmarrësit dhe sponsorët që kontribuan në këtë aktivitet social.

“Jemi mbledhur në këtë aktivitet për t’u gjendur pranë shtresave në nevojë në këto ditë festash kombëtare. Atdheu është vendlindja, është vendi që na bën të ndihemi krenarë, vendi ku vuajmë e gëzohemi. Ne si nëna dhe si gra kemi një mision, të mbjellim dhe kultivojmë ndër breza dashurinë për Zotin, për atdheun dhe për njëri-tjetrin.” – tha ajo.

Pjesëmarrëse në aktivitet ishte edhe Drejtoresha e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Tiranë, znj. Anisa Subashi.

Znj. Subashi vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë që Bashkia Tiranë ka me KMSH në këtë aktivitet bamirësie dhe aktivitete të tjera të së njëjtës natyrë.

Solidarizimi dhe mbështetje të tilla për shtresat në nevojë është më e pakta që gjithësecili nga ne duhet të bëjë,

u shpreh ajo ndër të tjera.

Panairin e përshëndeti edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z.Taulant Bica.

“Qëllimi kryesor i këtij panairi është sensibilizimi. Ndoshta nuk do të na jepet mundësia të zgjidhim çështjen e të gjithë njerëzve në nevojë, por me ndihmën e Zotit të bëhemi shkak për një vepër të mirë. Ky panair, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për familjet në nevojë, shpresoj të zgjojë tek çdo individ dhe qytetar shqiptar ndjenjën e të ndihmuarit të tjetrit. Duke qenë se jemi edhe në prag të një gëzimi kombëtar, siç janë festat e nëntorit, gjej rastin t’ju uroj gjithë shqiptarëve gëzuar festat. Dhe t’i lutem Zotit të na bëjë të mundur reflektimin për hallin e njerëzvë në nevojë në këto ditë të vështira që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19”, theksoi nënkryetari Bica në fjalën e tij.

Më tej, panairi u hap për publikun e gjerë.