IMG_7917

Ditën e shtunë, më 31 maj 2014, është zhvilluar në Sarandë mbledhja e radhës e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Nën drejtimin e kryetarit të  KMSH-së, z. Skender Bruçaj, është mbledhur Kryesia e KMSH-së në një mbledhje të radhës, ku janë diskutuar problematika të ndryshme institucionale, duke miratuar dhe marrë vendime të rëndësishme, bazuar në nevojat dhe kërkesat e dërguara nga ana e myftinive.

Kjo traditë e re e zhvillimit të mbledhjeve të Kryesisë vjen si nevojë e të qenurit më pranë edhe myftinive, ku me këtë rast zhvillohen jo vetëm vizita në myftini dhe takime me besimtarë të shumtë, por edhe Kryesia njihet direkt me problematikat, me zhvillimet pozitive dhe punën e bërë ndër vite në ato qytete, si dhe me nevojat e reja që shfaqen në ditët tona nëpër myftini.

Gjatë rrugës për në Sarandë anëtarët e Kryesisë janë ndalur në Fier, ku janë pritur nga Myftiu Karafil Manaj, me të cilin kanë zhvilluar një bisedë lidhur me mbarëvajtjen e punëve në këtë qytet. Anëtarët e Kryesisë kanë zhvilluar një vizitë edhe në xhaminë e madhe të qytetit.

Ndërsa në Sarandë, pas mbledhjes së zhvilluar ditën e shtunë, delegacioni i  KMSH i kryesuar nga kryetari z. Bruçaj, kanë kryer faljen e drekës në xhaminë e qytetit, ku janë pritur nga myftiu i Sarandës H. Bledar Mullaj, stafi i myftinisë dhe besimtarë të shumtë. Pas namazit të drekës myftiu i ka uruar mirëseardhjen kryetarit dhe Kryesisë së KMSH-së, duke shprehur kënaqësinë dhe nderin e mikpritjes për herë të parë të Kryesisë dhe Kryetarit të ri të KMSH-së. Kryetari Bruçaj ka mbajtur një fjalë para besimtarëve dhe xhematit të xhamisë së qytetit, të cilëve u ka shprehur kënaqësinë e të qenurit në mesin e tyre, në një qytet, i cili ka një xhami historike, në qendër të tij, por që nga dita në ditë i rriten nevojat për sa më shumë punë në emër të promovimit të vlerave universale të Islamit.

Delegacioni i KMSH-së ëshë njohur nga afër edhe me Qendrën e re Kulturore pranë xhamisë, ndërtuar së fundmi nga një donator shqiptar, zyrat e myftinisë, klasat dhe ambientet tjera të kësaj qendre.

Kjo nismë e zhvillimit të mbedhjeve të Kryesisë nëpër rrethe do të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.

31 Maj 2014

IMG_7831

IMG_7824

IMG_7923

IMG_7938