12666302_937450956323878_1917399999_n

Është zhvilluar në Durrës forumi i diskutimit: “Forcimi i rolit të imamëve përballë sfidave bashkëkohore”, me imamët e myftinisë së Durrësit dhe Kavajës.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi, i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se imami ka një funskion jashtëzakonisht të rëndësishëm në komunitet.

“Padyshim që imami si figurë fetare dhe shoqërore ka një rol të rëndësishëm në komunitetin në të cilin jeton, si rol shpirtëror, i cili ndikon në motivimin dhe nxitjen e besmitarëve në kryerjen e punëve të dobishme për shoqërinë, po ashtu edhe rol parandalues të fenomeneve negative.”, tha z. Zaimi.

Nënkryetari Zaimi u shpreh gjithashtu se Komuniteti Mysliman po përpiqet që t’u sigurojë imamëve kushtet dhe hapësirat e nevojshme në mënyrë që ta kryejnë sa më mirë rolin që ata kanë në shërbim të shoqërisë.

Edhe drejtori i Thirrjes në Islam në KMSh, Elvis Naçi u shpreh se roli i mamit në shoqëri përballë sfidave të kohëve moderne është mjaft i rëndësishëm dhe duhet përforcuar edhe më shumë.

Në takim përshëndetën edhe Myftiu i Durrësit Redin Quku dhe Myftiu i Kavajës, Besnik Leçini.

Gjithashtu në forum mbi rolin e imamit foli edhe studiuesi z. Fabian Zhilla. Ndërkohë hapja e forumit u bë  nga Gjergji Vurma, përfaques i IDM-së.

Takimi vijoi edhe me diskutime nga të pranishmit ku dolën edhe sugjerime konkrete për të forcuar traditat e bukura të trashëguara ndër breza në vendin tonë.

Ky forum organizohet nga Komuniteti Mysliman në bashkëpunim me IDM Albania, me synim forcimin e rolit të imamëve në shoqëri.