Ditën e djeshme pas namazit të akshamit, xhamia “Et’hem Bej”, mblodhi dhjetëra besimtarë për t’u bërë pjesë e mbrëmjes fetare kushtuar Natës së Regaibit.

Në fjalën e tij hapëse, imami i xhamisë z. Elton Karaj, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve i njohu ata shkurtimisht me programin e kësaj mbrëmjeje fetare kushutar 3 muajve të begatë, e në veçanti natës së Regaibit.

Më tej, hafizi Enes Hyka, lexoi disa ajete nga Kurani Famëlartë.

Për të vijuar më pas me ligjëratën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili theksoi rëndësinë e 3 muajve të begatë (Rexheb, Shaban dhe Ramazan), duke e ilustruar fjalën e tij me shembuj të shumtë nga jeta e Profetit Muhamed (a.s.) sesi i priste e i kalone ai këto 3 muaj.

Më tej, kryetari Spahiu ndau me të pranishmit vlerën dhe urtësitë e kësaj nate si një ndër netët të cilat Allahu (xh.sh) i dalloi për rëndësinë që ato zënë në jetën e besimtarëve.

Fill pas tij ishte radha e Prof. Xhemal Safertit të referonte mbi vlerësimin e kohëve të veçanta në Islam si rruga për të përfituar sa më shumë nga mëshira dhe begatitë e Krijuesit të Gjithësisë. Sipas tij, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të shtojmë leximin e Kuranit Famëlartë, duatë, namazet e natës, agjërimin dhe dhikrin (përmendjen e Allahut xh.sh).

Pjesë e programit të kësaj mbrëmjeje fetare ishin edhe ilahitë dhe duaja përmbyllëse të sjella për të pranishmit nga zv. Myftiu i Tiranës, z. Erjol haxhiu dhe imami Abdullah Ziba.

Pas përfundimit të këtij programi, besimtarët e pranishëm u bënë pjesë e koktejlit të organizuar me këtë rast.