mbledhja kp (1)Është zhvilluar paraditen e sotme, 14 Dhjetor 2013, në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhja radhës së Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça i falenderoi anëtarët e për prezencën, dhe e deklaroi mbledhjen të hapur, ku hapja u bë përmes këndimit të Kuranit nga Myftiu i Korçës Qazim Muçi.

Mbledhja e drejtuar nga Kryetari i Këshillit, z. Ylli Gurra, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe pasi është konfirmuar pjesëmarrja e 2/3 të anëtarëve të KP,  u prezantuan dy raportet.

Raporti i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm mbajtur nga z. Ylli Gurra, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah mirëfunksionimin e instancave të institucionit të Komunitetit Mysliman në nivel qendror dhe vendor si dhe strukturat e KMSH-së që përbehen nga drejtoritë respektive, për gjashtë mujorin e dytë të vitit 2013.

Në këtë raport është vlerësuar puna dhe arritjet e përgjegjësive në mënyrën më të mirë të mundshme të Drejtorisë së Medias dhe Drejtorisë së Kulturës në KMSH.

Lidhur me Drejtorinë e Medias në raport thuhet se, kjo drejtori është dritarja e përçimit e përcjelljes së mesazhit të institucionit te besimtarët dhe te qytetarët e shqiptarë kudo që ata jetojnë.

Gjithashtu ky raport vlerësoi angazhimin dhe Drejtorisë se Medias gjatë muajit të Ramazanit e cila ka organizuar një sërë emisionesh, intervistash, reportazhesh, e kronikash në të gjithë vendin, në mënyrë që të gjithë besimtaret ta përjetonin këtë muaj të bashkuar dhe të afërt me njeri -tjetrin. Gjithashtu raporti vlerësoi lart edhe kontributin e revistës së përmuajshme të KMSH-së “Drita Islame” e cila sipas raportit është përcjellëse e denjë e mesazhit të qartë dhe të kulluar të Islamit.

Ndërsa lidhur me Drejtorinë e Kulturës  është vlerësuar aktiviteti i saj i vazhdueshëm në organizimin e simpoziumeve, seminareve e konferencave e botime të shumta të literaturës Islame, të gjitha këto në funksion të promovimit  të kulturës islame tek besimtarët dhe te opinioni mbarëqytetar. Gjithashtu raporti vlerësoi këtë drejtori për botimin dhe promovimin e librit “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim shkencor, i cili u promovua Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Më pas ky raport ka bërë edhe një përmbledhje të arritjeve, aktiviteteve dhe problematikave që ka shfaqur Myftinia Tiranë, në harkun kohor prej gjashtë muajsh.

Më pas Kancelari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi prezantoi raportin e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për periudhën e dytë të këtij viti.

Në këtë raport u pasqyrua veprimtaria e Kryesisë dhe e çdo drejtorie, u evidentuan arritjet dhe mangësitë, si dhe u analizuan çështje të tjera që presin realizimin në të ardhmen e afërt.

Në aspektin e aktiviteteve ndër-institucionale të Kryesisë, u përmendën realizimi i një sërë veprimtarish në nivel të lartë drejtuesish, në konferenca e seminare të organizuara nga institucione vendase dhe të huaja.

Gjithashtu ky raport i ka kushtuar një rëndësi të veçantë organizimit të Haxhit, aktiviteteve të Zyrës së Gruas në KMSH si dhe botimeve.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për të tretin vit radhazi ka realizuar me sukses ritualin e haxhit. 340 besimtarë shqiptarë vizituan vendet e shenjta, si Meke e Medine, duke përmbushur kushtin e pestë të fesë Islame. Lusim Allahun xh.sh t’ua ketë pranuar këtë adhurim.  Vlen për t’u përmendur edhe puna e aktivitete e Zyrës së Gruas në KMSH, e cila ka realizuar seminare dhe simpoziume të shumta mbi çështje të ndryshme fetare me gratë besimtare në kryeqytet. Gjatë kësaj periudhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, përveç botimeve periodike të revistave “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë”, ka realizuar edhe një sërë botimesh të tjera si “Haxhi dhe Umreja”, “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes kombëtare” etj.”, thuhej në raport.

Këshilli i Përgjithshëm u informua gjithashtu me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë kësaj periudhe në qendër e në bazë.

Gjithashtu në përfundim të këtij raporti u nënvizuan edhe disa prioritetet e së ardhmes, ku më kryesoret ishin shtimi i pagave të punonjësve në të gjithë vendin si dhe hapja e mediave të reja, të cilat pritet të jenë zëri më i fuqishëm i institucionit.

Ndërkohë, anëtarët e Këshillit, vlerësuan Komunitetit Mysliman për punën e bërë deri më sot, si dhe dhanë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre.

Më pas Raportet e dy kryesive për periudhën e dytë të vitit u hodhën në votë dhe u miratuan me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

Kjo ishte mbledhja e dytë për këtë vit e Këshillit të Përgjithshëm, strukturës më të lartë organizative të institucionit zyrtar të myslimanëve të Shqipërisë.

mbledhja kp (2) mbledhja kp (3)

 

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë