Në kuadër të ditës kombëtare të rinisë, Forumi Rinor Mysliman Shqiptar, organizoi konkursin me temë: “Heronjtë e Rinisë Islame, Sahabët”.

Ky konkurs bëri bashkë dhjetëra të rinj të cilët prezantuan në formën e esesë, poezisë apo edhe pikturës jetën dhe veprën e shokëve të Profetit Muhamed (a.s.).

Ne ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese, e cila u zhvillua ditën e djeshme në ambientet e këtij forumi, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili në fjalën e tij të rastit shprehu vlerësim ndaj kësaj iniciative që në thelb rikujton vlerat e larta të besimit dhe moralit të bukur të sahabëve të nderuar. Më tej, ai shprehu gatishmërinë e institucionit që përfaqëson në mbështetjen e konkurseve të tilla edhe në të ardhmen.

Në fund të fjalës së tij, kryetari Spahiu i dorëzoi çmimin e parë të këtij konkursi fituesit përkatës.

Më tej, u ndanë edhe çmimet e tjera fituese, çmime të cilat ju dorëzuan të rinjve nga Kryetari i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “Bedër”, Dr. Ali Zaimi, Drejtori i Medresesë Tiranë, z. Ndriçim Gjimi, si dhe nga lektorja e Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, znj. Rudina Çinari.

Vlen të theksojmë se vlerësimi i punimeve u bë nga juria e ngritur me këtë rast, e cila në bazë të pikëve të grumbulluara për çdo punim, shpalli fituesit e konkursit.

Ekspozitën e hapur me punimet e të rinjve e vizituan individë të ndryshëm nga fusha e arsimit, kulturës, fesë dhe studentë të universiteteve publike e private të Kryqytetit.