Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër” konferencën rajonale, me temë: “Profeti Muhamed (a.s), njeriu i dimensioneve të veçanta”.

Kjo konferencë e cila u çel me leximin e Kuranit Famëlartë nga Hafizi Enes Hyka, mblodhi sëbashku teologë, akademikë, studiues, përfaqësues dhe lider të komuniteteve fetare Islame të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës.

Në seancën e përshëndetjeve, ishin të pranishëm H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar “Bedër”, Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, H. Shaqir Fetahu, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, h. Ahmet Sadriu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Zvicrës, H. Mehas Alia, dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Edmond  Brahimaj.

Në fjalën e tij, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë konferencë përkujtuese ndaj Profetit Muhamed (a.s), u ndal në përgjegjësinë që bie mbi të gjithë dijetarët, studiuesit dhe teologët në mbrojtjen e shoqërisë nga dizinformimi e shtrembërimi i kësaj feje të drejtë e të vërtetë, si dhe në promovimin e jetës dhe veprës së Profetit tonë të dashur (a.s).

“Padyshim, ndërtimi i vetëdijes racionale kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve fetare, arsimore, kulturore dhe mjeteve të komunikimit masiv për të kontribuar në shpalosjen e vlerave të bukura të islamit dhe Profetit tonë të dashur (a.s.). Me fjalë të tjera, Profeti Muhamed (a.s.) kalibroi botëkuptimin njerëzor që dallon besimin nga mosbesimi, të drejtën nga e gabuara, faktet nga thashethemet.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Rektori i “Bedër”, Prof. Gjana, uroi mirëseardhjen të pranishmëve në konferencë, si dhe përgëzoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për organizimin e saj. Ai gjatë fjalës së tij, vuri gjithashtu në dukje kontributin që jep Universiteti “Bedër” në përgatitjen e teologëve të rinj, të cilët janë një aset i vyer për shoqërinë shqiptare.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, z. Fetahu, u shpreh se tubime të tilla mundësojnë që Muhamedin (a.s), ta sjellim sa më afër, ta prekim atë, të mësojmë prej tij dhe ta analizojmë atë si model i përkryer i Allahut Fuqiplotë për të drejtuar gjithë njerëzimin në botën në të cilën ne jetojmë.

Sekretari i Përgjithshem i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Sadriu, ndau me të pranishmit vlerat që ka përkujtimi i muajit të lindjes së Profetit (a.s.). Ai gjithashtu tha se Muhamedi (a.s.) është një shembull që duhet ndjekur nga myslimanët dhe me gjerë.

“Muhamedi (a.s) është njeriu më i dashur për ne. Jeta e tij nuk ka mbaruar, ajo vazhdon të mbetet e gjallë edhe sot e kësaj dite. Ai ka zënë një vend qendror në jetët tona dhe takime të tilla janë dëshmi e qartë se ajo për të cilën ai jetoi e punoi, vazhdon dhe do të vazhdojë deri në ditën e fundit.” – tha Kryetari i Komunitetit Mysliman të Zvicrës, h. Mehas Alia.

Së fundmi, h. Dede Edmond Brahimaj, në fjalën e tij theksoi mesazhet e paqes, dashurisë dhe mirësisë së Profetit Muhamed (a.s.), mesazhe të cilat janë frymëzim për njerëzimin deri në ditën e fundit.

Konferenca u zhvillua më tej me dy seancat shkencore, ku studiuesit, teologët dhe akademikët e ftuar, ndanë me të pranishmit një sërë temash, të tilla si: “Virtytet e Muhamedit (a.s) para dhe pas profetësisë”, “Roli i tij si udhëheqës dhe vlerësimi i kapaciteteve”, “Roli i bashkëshorteve të Profetit (a.s) në përcjelljen e mesazhit hyjnor”, “Profeti Muhamed (a.s), shembulli më i përsosur si edukator dhe kryetar familjeje”, “Morali shoqëror i bazuar në parimin e amanetit sipas shembullit të Muhamedit (a.s)”, etj.

Ndër kontributorët e shumtë që bënë të mundur zhvillimin e kësaj konference rajonale, ishin edhe anëtarët e organit më të ri të KMSH-së, Forumi Rinor Mysliman Shqiptar.