Universiteti “Bedër” në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, Universitetin Katolik, “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universitetin “Logos”, si dhe me komunitetet fetare në Shqipëri, organizuan konferencën ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar: “Shqipëria, Model i Bashkëjetesës Ndërfetare për Evropën?”

Në këtë konferencë morën pjesë kryetarët e komuniteteve fetare, klerikë, përfaqësues shtetërorë, akademikë, kërkues e teologë nga Shqipëria dhe Evropa.

Konferenca u përshëndet nga ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler, Nunci Apostolik në Shqipëri, z. Charles John Brown dhe ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.

Seanca e parë e Konferencës u moderua nga kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, dhe në panel merrnin pjesë krerët e komuniteteve fetare: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, Kreu i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Katolike, z. George Frendo, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, z. Ylli Doçi.

Në fjalën e tij, kryetari i KMSH-së u shpreh se bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare në Shqipëri është tipar që rrjedh nga pranimi i diversitetit, respektit për përkatësinë e besimeve të ndryshme fetare dhe respektit për vlerat, historinë, dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.

“Themelimi i shtetit Shqiptar krahas sakrificave të shumëllojshme, është fryt edhe i kësaj bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare. Sepse mes përfaqësuesve kryesorë që kontribuan në formimin e shtetit Shqiptar ishin edhe prijësit fetarë të besimeve të ndryshme, apo edhe intelektualë të brymosur me besimet tradicionale fetare. Ne kemi trashëguar nga prijësit tanë fetarë, dashurinë për Zotin, për njeriun, dhe respektin për çdo qenie humane, pavarësisht ndasive që mund t’i karakterizojnë ata, si edhe detyrimin fundamental që të jemi në komunikim të vazhdueshëm me besimtarët e feve të tjera dhe te respektojme secilin ne pozicionin e tij”, tha ndër të tjera Bruçaj.

Në fund të këtij paneli kryetarët e komuniteteve fetare nënshkruan deklaratën e angazhimit të përbashkët për dialogun ndërfetar në Shqipëri.

Më pas konferenca ka vijuar me panelet e tjera, ku pedagogë nga të tria universitetet, teologë, studiues të huaj referuan me temat e tyre.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë