Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) në bashkëpunim me “Religions for Peace, Europe” zhvilluan sot në ambientet e “Tirana International Hotel” konferencën ndërfetare, me temë: “Vëllazëria në Humanizëm”.

Fokus i kësaj konference ishte dokumenti mbi “Vëllazërinë Njerëzore” nënshkruar nga Imami i Madh i Al-Az’har-it, Ahmad Al-Tayyeb, dhe Papa Françesku në vitin 2019.

Konferenca mblodhi sëbashku krerët e 5 komuniteteve fetare zyrtare të vendit, si H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Mons. Angelo Massarfa, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, z. Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Ortodokse, z. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH dhe njëkohësisht zv/president i RfP, Europe, si dhe drejtues institucionesh, klerikë, akademikë, studiues dhe personalitete të fushave të ndryshme brenda dhe jashtë vendit tonë.

Po ashtu kjo konferencë mblodhi sëbashku edhe emra të spikatur në fushën e diplomacisë dhe dialogut ndërfetar, siç ishin Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Yuri Kim dhe i ftuari i nderit, Presidenti i “Religions for Peace, Europe”, Dr. Luigi De Silva.

Në fjalën e tij të rastit në seancën hapëse të kësaj konferene, kryetari Spahiu, pasi falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për këtë tubim mjaft domethënës në aspektin e bashkëjetesës ndërfetare, u ndal në domethënien e nënshkrimit të dokumentit mbi “Vëllazërinë Njerëzore”, të lartëpërmendur.

“Aktë të tilla si ai që ndërmori Imami i Madh i Al-Az’har-it, Ahmad Al-Tayyeb, dhe Papa Françesku në vitin 2019, janë akte kurajoje dhe vendosmërie të lartë. Ndërmarrja e nismave të tilla nuk është kurrë e lehtë për prijësit fetarë. Parë në distancë kohore, me gjakftohtësi dhe me urtësi, këto janë nga ato ngjarje për të cilat historia i vlerëson si të drejta në të shumtën e rasteve për nga ndikimi në aspektin social. Ne shqiptarët, fatmirësisht, jemi një shembull i shkëlqyer sa i përket respektit të ndërsjelltë ndaj besimit të njëri-tjetrit. Na mbetet vetëm të japim shembullin dhe kontributin tonë në këtë aspekt.”- u shpreh z. Spahiu gjatë referimit të tij.

Më tej, ai ndau me të pranishmit një sërë rastesh të trajtimit të bashkëjetesës ndërfetare në Kuranin famëlartë dhe ato që gjejmë në jetën e Profetit Muhamed (s.a.s).

Në fund të fjalimit ai dha disa porosi drejtuar politikës, mediave dhe qytetarët apo besimtarëve të thjeshtë.

“Përpara se ta mbyll, apeli im kryesor është për politikën, investoni në arsim, arsimi, vetëm arsimi dhe edukimi cilësorë është zgjidhja. Për mediat, transmetoni frymë paqësore, mos raportoni informacione të pa verifikuara, kushtojini më shumë rëndësi rolit tuaj edukues krahas atij monetar. Për qytetarët dhe besimtarët, përdorini mjetet e komunikimit dhe teknologjinë për qëllime të mira, mos bini pre e kotësive, manipulimit, mos shkoni pas frymës së përçarjes, urrejtjes, linçimit e dhunës verbale nëpër rrjetet sociale.”

Seanca e përshëndetjeve vijoi më tej me referimin e të 5-të krerëve të komuniteteve fetare të vendit, Ambasadores znj. Yuri Kim, Nuncit Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi dhe në fund u mbyll me referimin e të ftuarit të nderit të kësaj konference, Dr. Luigi de Silva.

Konferenca i zhvilloi punimet e saj edhe me një seancë të dytë referimesh, ku studiuesit, e njëkohësisht përfaqësues të 5 komuniteteve fetare të vendit, trajtuan promblematika të ndryshme në lidhje me temën e kësaj konference.

Pjesë e konferencës ishte edhe shpalosja e ekspozitës me momente nga ngjarjet më të rëndësishme ndërfetare të vendit tonë ndër vite.