
Pas një jave plot emocion, mbrëmjen e djeshme u zhvillua finalja e kampionatit të futbollit për të rinjtë e xhamive të ndryshme të Tiranës, kompeticion ky i organizuar nën kujdesin e z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Drejtorisë së Thirrjes dhe Mesazhit Islam dhe z. Shpëtim Seranaj, Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Besimtarët në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Nëntë ekipet pjesëmarrëse i zhvilluan takimet e tyre në fushë të madhe me formacion 9 me 9, ndërsa atmosfera sportive dhe vëllazërore shoqëroi çdo përballje mes të rinjve.
Fitues i kampionatit u shpall ekipi i Xhamisë së Botanikut, ndërkohë që u ndanë edhe çmime individuale si Këpuca e Artë dhe Topi i Artë për lojtarët më të spikatur të kampionatit.
Në këtë kompeticion morën pjesë ekipet përfaqësuese të dy xhamive të Kombinatit, xhamisë Pezë, Menik, Botanik, Mahmud Vrapi dhe zonave të tjera përreth.
Allahu (xh.sh) i shpërbleftë imamët e xhamive pjesëmarrëse, të cilët përveç angazhimit dhe punës së palodhur me të rinjtë, gjatë turneut, mbajtën referime dhe ndanë këshilla të vyera për të rinjtë mbi vlerat e Islamit, forcimin e vëllazërisë, angazhimin në aktivitete të dobishme dhe largimin nga veset.
Ky kampionat u shndërrua në një hapësirë ku të rinjtë, imamët dhe xhemati u bashkuan përmes sportit dhe besimit, duke ndërtuar lidhje më të forta me njëri-tjetrin.



















