Instituti i Bashkëpunimit për Integrimin dhe Zhvillimin në bashkëpunim me komunitetet fetare të vendit tonë, zhvilluan sot në ambientet e “Muzeut Historik Kombëtar” aktivitetin me titull: “Feja në shoqëri: Modeli Shqiptar”.

Ky eveniment, i cili do të vijojë me aktivitete të tjera ndërmjet komuniteteve fetare në dy ditët e ardhshme, synon të promovojë dhe kultivojë një vlerë të shquar dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën në diversitetin e bashkësive fetare shqiptare në harmoni, paqe dhe integritet.

Në takimin e sotëm ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare të vendit, si Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Tiranë – Durrës, Mons. George Frendo, përfaqësues i Kryegjyshatës Bektashiane, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doçi, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja, Nunci Apostolik në Tiranë Charles John Brown, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane nga Universiteti Bedër Prof. Asoc. Rahim Ombashi, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme.

Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të organizatorëve, duke filluar me fjalën e Drejtorit Ekzekutiv të ICID Albania, Prof. Assoc. Reis Mulita, për të vijuar më tej me referimin e krerëve të komuniteteve fetare. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu dhe nga Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet znj. Loreta Aliko, drejtori i AQSH-së z. Ardit Bido, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucione të ndryshme publike, si Bashkia Tiranë dhe ajo Kurbin.

Në fjalën e tij Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Spahiu, u ndal në harmoninë dhe bashkëjetesën fetare të vendit tonë si një vlerë e veçantë në traditën e vendit tonë prej shekujsh, duke theksuar se në të gjithë historinë e saj Shqipëria ka ditur ta ruajë këtë aset të çmuar, duke qëndruar edhe sot e kësaj dite një model unikal në të gjithë botën.

“Kurani dhe tradita e Profetit Muhamed a.s, janë burimet kryesore të fesë Islame dhe që të dy me normat dhe rregullat e tyre e trajtojnë në mënyrë reale çështjen e harmonisë dhe të lirive fetare. Kurani i porosit myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, harmonik dhe komunikues me besimtarët e feve të tjera”- tha Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e krerëve të lartpërmendur të cilët prekën dhe njëherë asetin më të çmuar të vendit tonë, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare si një model për t’ia përcjell të gatshëm botës, e parë kjo në këndvështrimet përkatëse të 5 përfaqësueseve fetarë të komuniteteve të ndryshme.

Në fund të aktivitetit pjesëmarrësit vizituan në ambientet e Muzeut Kombëtar ekspozitën e besimeve dhe vlerave ndërfetare të Shqipërisë ndër vite, ku dhe KMSH kishte standin e vet me libra dhe botime të vjetra Kur’ani, ruajtur me kujdes gjatë periudhës së komunizmit dhe një ekspozitë të bashkëjetesës ndërfetare, realizuar nga Drejtoria e Kulturës pranë institucionit dhe Departamenti i Shkencave Islame, Bedër.