IMG-20141201-WA0006Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Skender Bruçaj, zhvilloi në datat 1-4 dhjetor 2014, një vizitë zyrtare në Kuvajt.

Delegacioni u prit në një takim nga Zv/ministri i Vakëfeve dhe Çështjeve Islame, z. Adil El-Felah, i cili vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona.

“Vizita juaj na bën të ndjehemi thellësisht më afër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Urojmë që ajo të pasohet nga të tjera vizita, të cilat do ta bëjnë edhe më të frytshëm bashkëpunimin tonë”, tha mes të tjerash z. El-Felah.

Kryetari Bruçaj, pasi e falënderoi z. El-Felah për mikpritjen, vlerësoi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat pas vizitës së Kryeministrit Rama në Kuvajt, janë intensifikuar edhe më tepër.

“Më lejoni që t’ju falënderoj për mbështetjen e dhënë nga Shteti i Kuvajtit ndaj Republikës së Shqipërisë, si dhe për përkrahjen tuaj vëllazërore ndaj besimtarëve myslimanë dhe institucionit të tyre në këto dy dekadat e fundit. Uroj që ky bashkëpunim të jetë i vazhdueshëm dhe të intensifikohet edhe më tepër në të ardhmen”, tha z. Bruçaj.

Gjatë qëndrimit në Kuvajt, delegacioni zhvilloi takime me personalitete të larta shtetërore e fetare, ku mund të veçohen takimet me kreun e Komitetit Suprem Konsultativ, Dr. Khalid Al-Madhkur, Drejtorin e Përgjithshëm të Shtëpisë së Zekatit, z. Ibrahim Es-Salih, Drejtorin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Vakëfeve, z. Abdulmuhsin El-Kharafij, Kryetarin e Bordit Drejtues të Organizatës Botërore Islamike të Bamirësisë, Dr. Abdullah El-Ma’tuk, etj. Po ashtu, takime u zhvilluan edhe me drejtues dhe përfaqësues të shoqatave humanitare kuvajtiane që prej vitesh veprojnë dhe kanë aktivitetin e tyre në vendin tonë.

Kryetari Bruçaj dha një intervistë ekskluzive për Agjencinë Kuvajtiane të Lajmeve, ku foli për zhvillimet e Islamit në Shqipëri dhe rolin e Komunitetit Mysliman në interes të besimtarëve dhe në dobi të shoqërisë shqiptare. Ai falënderoi përzemërsisht shtetin dhe popullin mik kuvajtian për ndihmën e vazhdueshme dhënë për institucionin, besimtarët dhe popullin shqiptar.

Pjesë e delegacionit ishin: z. Ylli Cikalleshi, Kancelar i KMSH-së, Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, z. Andrin Rasha, Përgjegjës i Zyrës së Zekatit.

I ftuar nga Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame ishte edhe z. Ilir Hoxholli, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet.

Një kontribut mjaft të rëndësishëm në realizimin e kësaj vizite ka edhe ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, z. Najeeb Abdulrahman Al-Bader, nën kujdesin e të cilit është bërë e mundur kjo vizitë zyrtare në shtetin e Kuvajtit.

Gjatë vizitës 4 ditore të delegacionit shqiptar në Kuvjatit vlen të përmendet dhe kontributi i ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kuvajt z. Kujtim Morina dhe i Konsullit të ambasadës së Shqipërisë në Kuvajt z. Ilir Hysa, i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës në dispozicion dhe ka shoqëruar delegacionin shqiptar në çdo takim.

IMG-20141201-WA0004

Kuvajt (1) Kuvajt (2) Kuvajt (3) Kuvajt (4) Kuvajt (5) Kuvajt (6)