Sot në mbarë vendin është çelur zyrtarisht viti i ri shkollor 2017-2018.

Nënkryetari i KMSH-së për të uruar vitin e ri shkollor ishte në Medresenë e Tiranës. Nga kjo shkollë e cila përhap dije prej disa dekadash nënkryetari uroi të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një vit sa më të mbarë dhe plot suksese.

Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari i KMSH-së, z Bujar Spahiu tha se përpjekja në rrugën e dijes është një hap më shumë në rrugën e profetëve.
“Dituria është trashëgimia që na kanë lënë profetët. Në këtë shkollë ju keni mundësinë që të përparoni dhe të jeni ndjekës të rrugës së profetëve”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi uroi nxënësit për një vit të suksesshëm dhe theksoi rëndësinë e dijes e të diturisë.
“Shkolla hedh bazat e edukimit, i jep horizont mendimit dhe botës tonë. Rruga e dijes ështe me vështirësi, me përpjekje por edhe e bukur dhe argëtuese. Mësuesit janë ata të cilët do t’ju ndihmojnë që kjo rrugë të jetë sa më e frytshme dhe e bukur.”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Në ceremoninë e hapjes përshëndeti edhe drejtori i Arsimit në KMSH, z. Oltion Kola, i cili tha se nxënësit e kësaj shkolle janë me fat që janë pjesë e saj.

Ndërsa drejtori i Fondacionit Sema u shpreh se për të arritur majat e suksesit duhet punë dhe vullnet. Ai theksoi se Medreseja e Tiranës është vendi i duhur për t’ju ndihmuar në rrugën e dijes.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ushtron aktivitetin e tij arsimor të shpërndarë në disa qytete me anë të medreseve. Momentalisht janë 6 medrese: Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”, Medreseja e Shkodrës “H. Sheh Shamia”, Medreseja e Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi”, Medreseja e Elbasanit, “Liria”, Medreseja e Korçës “Abdullah Zëmblaku”.

Medresetë ofrojnë arsimim dhe edukim për ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm.

Medresetë mundësojnë shkollimin e nxënësve në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë mësimdhënie. Medresetë njihen për suksesin e tyre në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Në këto shkolla nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.

11 shtator 2017