Sot në mbarë vendin është çelur zyrtarisht viti i ri shkollor 2018-2019.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli për të uruar vitin e ri shkollor ishte në Medresenë e Tiranës. Nga kjo shkollë e cila përhap dije prej disa dekadash nënkryetari uroi të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një vit sa më të mbarë dhe plot suksese.

Nënkryetari i KMSH-së tha se medreseja përbëhet nga një staf i përgaditur, me nxënës të përzgjedhur dhe më përvojë të gjatë në arsim.

“Stafi, nxënësit e përzgjedhur dhe ekspereienca gati shekullore e kësaj shkolle do të bëjnë të mundur që ju të hidhni hapa të sigurtë dhe të ngjisni me sukses shkallët e jetës. Këtu do të përgaditeni si nga ana shkencore ashtu edhe nga ana fetare. Me anë të dijes mund të arrihet suksesi, prosperitite dhe përgaditja e individëve për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Medresesë së Tiranës uroi nxënësit për një vit të suksesshëm dhe tha se medreseja ka qenë dhe do të jetë një familje e dytë për të gjithë nxënësit.

“Medreseja e Tiranës është familja e dytë për çdo nxënës. Këtu do të gjeni një staf të përkushtuar, të përgaditur dhe të gatshëm për t’ju mbështetur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrave tuaja. Medreseja e Tiranës ju përgadit për jetën tuaj të ardhshme profesionale, plotëson personalitetin tuaj, duke ju mundësuar përfitime të shumta, si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën”, tha ndër të tjera z. Zaimi

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ushtron aktivitetin e tij arsimor të shpërndarë në disa qytete me anë të medreseve. Momentalisht janë 6 medrese: Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”, Medreseja e Shkodrës “H. Sheh Shamia”, Medreseja e Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi”, Medreseja e Elbasanit, “Liria”, Medreseja e Korçës “Abdullah Zëmblaku”.

Medresetë ofrojnë arsimim dhe edukim për ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm.

Medresetë mundësojnë shkollimin e nxënësve në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë mësimdhënie. Medresetë njihen për suksesin e tyre në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Në këto shkolla nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.

17 shtator 2018