me syrin e zemres 3 (3)

Emisioni “Me syrin e zemrës”, që transmetohet çdo të hënë dhe të enjte në Tv Ora News, ka vijuar ditën e hënë, më 15 korrik 2013, me një bashkëbisedim me myftiun e Tiranës, H. Ylli Gurra dhe teologun Ferid Piku.

“Namazi”, ka qenë tema e radhës, që ka zhvilluar moderatori i këtij emisioni Armand Bora me dy të ftuarit e radhës.

Gjatë bisedës, të dy teologët i janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme në lidhje me vlerat, dobitë dhe favoret që namazi i ofron njeriut në jetën e tij materiale e shpirtërore.

Myftiu Gurra shpjegoi disa nga veçoritë më të spikatura të namazit dhe lidhjen e tij me shtyllat e tjera të Islamit. Sipas tij, vlerën e namazit Zoti e shpreh me këto fjalë në Kur’an: “Vazhdoni rregullisht kryerjen e faljes së namazit … dhe të jeni të respektues ndaj Allahut (në namaz)”. Ndërsa Profeti (a.s.) kur është pyetur se  cila punë është më e dashur tek Allahu? Është përgjigjur: “ Namazi në kohën e vet”.

“Në mëngjes çdo mysliman ngrihet para lindjes së diellit, kthehet nga kibla dhe qëndron para madhërisë së Allahut (xh.sh) duke e filluar ditën e tij me namaz. I lutet Zotit dhe kërkon prej Tij që ta udhëzojë në rrugë të mbarë. Vjen mesdita dhe besimtari ka nevojë për ripërtërirjen e forcave, çohet merr abdes, freskohet e hyn në namaz në prezencën e Zotit (xh.sh) të cilin e falënderon për të mirat që i ka dhënë dhe kërkon prej tij kujdes dhe vëmendje hyjnore. Kështu hyn në udhën e qetësisë shpirtërore dhe çlirimin e pjesëve trupore duke u mbështetur plotësisht në forcën e Allahut, ku gjen shlodhje dhe furnizim fiziko-shpirtëror. Kështu vazhdon besimtari rrugën e ditës së tij me punë e kujtesë për Allahun, elemente të pandashëm në jetën e tij”, u shpreh Myftiu Gurra.

Ndërsa teologu Piku është shprehur se namazi, ashtu si dhe adhurimet e tjera, nuk duhet të shihet si barrë, por si një mundësi për pastrim dhe lartësim shpirtëror, ku përfitues direkt është vetë njeriu. Ai gjithashtu i është përgjigjur edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me pretendimin e disa njerëzve që thonë se besimi është i mjaftueshëm dhe nuk është nevoja të shoqërohet me vepra, për të cilat Zoti është i panevojshëm, duke arsyetuar se “besimi duhet me patjetër të shoqërohet me vepra, pasi veprat janë tregues i asaj që njeriu ka në zemër.

Ndërsa Myftiu Gurra është ndaluar edhe në dimension shoqëror të namazit, duke theksuar se falja e përbashkët në xhami është më e vlerësuar në sytë e Zotit dhe se nëpërmjet saj synohet vëllazërimi i tyre me njëri-tjetrin.

Edhe ky emision, ashtu si dy emisionet e zhvilluara më herët,  ka shërbyer si një mundësi e mirë për njohjen dhe kuptimin e praktikave adhurimore islame dhe mirësitë që ato ofrojnë për individin dhe shoqërinë në tërësi.

Emisioni “Me syrin e zemrës” me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe moderator Armand Bora, transmetohet LIVE (drejtpërsëdrejti) duke filluar nga ora 19.00 deri në 19.50 në TV Ora News, si dhe në faqen zyrtare www.ora-news.com. Gjithashtu ky program mund të ndiqet në paketën dixhitale tokësore dhe satelitore “Digitalb”.

 

me syrin e zemres 3 (6)