Logo KMSHKomuniteti Mysliman i Shqipërisë vëren me keqardhje që ditët e fundit është shtuar ndjeshëm gjuha e urrejtjes dhe islamofobisë nga individë të ndryshëm, të cilët herë me emra realë e herë të fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, e kanë shprehur këtë haptazi në rrjetet sociale, por edhe në organet e masmedias.

Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri është njëkohësisht goditje ndaj themeleve  të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën krenohemi të gjithë në sytë e botës.  Këto vlera natyrisht që sëbashku me bukurinë e tyre ruajnë edhe amanetin e vijushmërisë,  duhet të ruhen e trajtohen me delikatesë e respekt.

Të gjitha bashkësitë fetare në vend, kanë punuar bashkarisht me durim e përkushtim për të kultivuar harmoninë dhe bashkëjetesën e për ti bërë këto një vlerë të shtuar të identitetit tonë kombëtar.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme dhe gjuhës së urrejtjes që amplifikohen përmes rrjeteve sociale apo organeve mediatike dhe të jenë të vetëpërmbajtur në reagimet e tyre, sikurse na këshillon edhe feja Islame.

Gjithashtu u bëjmë apel edhe të gjithë moderatorëve të rrjeteve sociale dhe drejtuesve të redaksive në media, që të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në publikimet e tyre, që të mos lëndojnë ndjeshmëritë e besimtarëve të asnjërës bashkësi fetare.

KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË

12 Shtator 2014