Një grup studiuesish dhe intelektualësh gjermanë, të interesuar për kulturën shqiptare e veçanërisht për Islamin në Shqipëri, vizituan sot Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Delegacioni gjerman u prit nga nënkryetari i KMSH-së z. Ali Zaimi, i cili i  njohu ata me aktivitetin e Komunitetit Mysliman, strukturën dhe mënyrën e organizimit të tij në qendër dhe rrethe në shërbim të shoqërisë dhe besimtarëve.

Interesit të studiuesve lidhur me bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në vend, nënkryetari Zaimi iu përgjigj se kjo vlerë e kombit shqiptar është e trashëguar ndër shekuj dhe nuk ka lindur tani. Shqiptarët, sipas zotit Zaimi, e shohin veten si vëllezër me njëri-tjetrin dhe nisur nga kjo, natyrshëm rrjedh edhe harmonia fetare dhe nuk ka pse të ketë dasi.

Ndërkohë z. Zaimi foli edhe për rolin e gruas në Islam, sipas të cilit, islami e ngre gruan në nivele të barabarta me burrin, sa i përket të drejtave dhe respektit.

Lidhur me pyetjen se nëse Komuniteti Mysliman ka aktivitet social apo jo, nënkryetari u përgjigj se këtë e tregojnë  iniciativat e shumta të ndërmarra nga KMSH, si dhe solidarizimi dhe mbështetja që vetë besimtarët kanë treguar në raste emergjente, në raste të vështirësive ekonomike, përmbytjeve, pastrimit të qytetit, etj.

Përfaqësues të delegacionit gjerman u shprehën të kënaqur për takimin dhe vlerësuan rolin e Komunitetit Mysliman si themelor në stabilizimin e shoqërisë shqiptare.

KMSH0018

KMSH0005  KMSH0010