Gjatë muajve korrik-gusht 2018, Universiteti el-Ez’her në Kajro të Egjiptit ka organizuar një program trajnimi për imamët e rinj të ardhur nga vende të ndryshme të botës, ceremonia e përfundimit të të cilit është zhvilluar nën kujdesin Imamit të madh, Shejhut të Ezherit, Prof. Dr. Ahmed Tajib dhe me pjesëmarrjen e Kryetarit të përgjithshëm të Institutit për Kërkime Islame, Prof. Dr. Muhjidin el- Afifi. Në këtë ceremoni morën pjesë gjithashtu edhe personalitete të ndryshme si, ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë nga bota akademike.

Pjesëmarrësit në këtë trajnim vinin nga vende të ndryshme si; Malajzia, Kina, Australia, India, Pakistani, Shqipëria, etj. Ky trajnim synon specializimin e imamëve në shkencat e besimit, gjuhë arabe, metodat e thirrjes në Islam dhe çështje të tjera të lidhura me Shkencat Islame në përgjithësi.

Për herë të parë në këtë trajnim morën pjesë edhe 7 studentë të Shkencave Islame, të ardhur nga Kolegji Universitar Bedër, një pjesë e të cilëve do të ushtrojnë edhe detyrën e imamit në xhami të ndryshme të Shqipërisë. Grupi i dytë i studentëve do të zhvillojnë trajnimin gjatë periudhës shtator-tetor 2018. Këto trajnime vijnë në sajë të bashkëpunimit ndërinstitucional midis KMSH-së, KU Bedër, Universitetit el Ez’her dhe Ambasadës së Egjiptit në Tiranë.