Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe njëherazi në prag ardhjes së muajit të Bekuar të Ramazanit, Myftinia Pukë, zhvilloi ditën e djeshme një simpozium në pallatin e kulturës së këtij qyteti.
Të pranishëm ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Pukës, Gëzim Kopani, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, i Deleguari i Myftiut të Republikës së Kosovës njëherazi edhe Kryetar i KBI-së Gjakovë, Valon Myrta, Kryetari i KBI-së Prizren, Besim Berisha, mysafirë nga qyteti i Tetovës si dhe besimtarë të shumtë.
Simpoziumi u çel me lexim Kur’ani nga imami Ramiz Mziu, për të vijuar me fjalën hapëse të Myftiut të Pukës, Gëzim Kopani.
Më tej, të pranishmit i përshëndeti Kryetari Spahiu, i cili pasi falenderoi organizatorët për këtë aktivitet, ndau me të pranishmit disa mesazhe të rëndësishme të këtij viti jubile të KMSH-së, për ta mbyllur me një urim kushtuar muajit të bekuar të Ramazanit.
“Kemi kaluar shumë sfida në këto 100 vite si komunitet, disa i kemi kaluar me sukses, në disa të tjera sprova ka qenë më e rëndë, por elhamdulilah, ne jemi këtu, me vullnet e dëshirë për të vijuar këtë rrugë në kauzën e bukur e të pastër të Islamit. Në mbyllje dua t’ju uroj që edhe muaji i begatë i Ramazanit të na gjejë gëzuar së bashku. Allahu na e lehtësoftë e na bëftë të mundur të përfitojmë prej tij sa më shumë.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Ky simpozium vazhdoi më tej me referimin e Myftiut të Vorës, Baftjar Këllezi dhe atij të Shkodrës, Muhamed Sytari.
Në të njejtën ditë, Myftinia Pukë, nën kujdesin e Myftiut Kopani, zhvilloi aktivitetin jubilar me titull: “100 Vjet Myftinia Pukë”
Kjo ceremoni u hap me këndimin e himnit kombëtar, për të vijuar me një dokumentar të përgatitur nga Myftinia Pukë me këtë rast.
Më pas, aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Pukës, i cili u shpreh se ky aktivitet jubilar zhvillohet në shenjë mirënjohjeje për kontributin që hoxhallarët e mëparshëm kanë dhënë për themelimin e Myftinisë Pukë, duke filluar nga Hafizi Xhemal Naipi, Zenel Hoxha, Sadik Prishtina, Qazim Nushi, etj, si dhe për të gjithë institucionet, fondacionet apo individët që kanë mbështetur dhe vijojnë ta mbështesin myftininë tonë.
Këtë ceremoni e përshëndeti edhe kreu i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, i cili pasi falenderoi Myftiun Kopani për këtë organizim, bëri një rezyme të shkyrtër të veprimtarisë së KMSH-së në këto 100 vite. Po ashtu ai nuk la pa përmendur edhe kontributin e madh të klerikëve myslimanë në formimin e shtetit shqiptar.
Përshëndetje të rastit mbajtën gjithashtu edhe mysafirët e lartpërmendur nga Shkodra, Gjakova, Prizreni, etj.
Me këtë rast, Myftinia Pukë shpërndau disa certifikata mirënjohjeje për familjet e hoxhallarëve dhe fondacionet që kanë mbeshtetur myftininë ndër vite.
Kështu, Myftinia Pukë vlerësoi me certifikatë pas vdekjes, H. Xhemal Naipin, certifikatë të cilën e tërhoqi nipi i tij, Arian Naipi, për të vijuar me vlerësimet ndaj: Myftinisë Shkodër, Ish-famullitarit të Kishës Katolike, Giovanni Fiocchi, KBI-së Prizren, KBI-së Gjakovë, Presidentit të Eurosig, Kadri Morina, familjes së hoxhës Sadik Luma, Medresesë H.Sh. Shamia “Shkodër”, kryetarit të shoqates V.H.K Istanbul, Ridvan Seferaj, drejtorit të Fondacionit Mirësia, Korab Kaja, etj.
Ky aktivitet ishte i larmishëm dhe festiv për të gjithë të pranishmit.