Thirrjes së Komunitetit Musliman të Shqipërisë për mbledhjen e kurbaneve , dhe më pas shpërndarjen e tyre te familjet në nevojë, i janë përgjigjur shumë qytetar rezident në Shqipëri dhe ata të diasporës.
Zyra e Gruas pranë KMSH bëri të mundur identifikimin e familjeve në nevojë dhe shpërndarjen e dhjetra pakove me mish kurbani.
“Kurbani është adhurim ashtu sikurse është edhe gëzim. Falënderojmë Zotin që na bëri të mundur të bëhemi ndërmjetës të amanetit të besimtarëve për familjet e varfëra.
Ne e dimë që nevojat janë të shumta përgjatë gjithë vitit, por elhamdulilah që na u dha mundësia t’i gëzojmë disa familje në këtë Kurban Bajram.
Dua të falënderoj shqiptarët që jetojnë në Connecticut të SHBA-ve, “Albanian American Muslim Community” të cilët për të disatin vit radhazi na e besojnë ne amanetin e tyre, ashtu si edhe këto kurbane.
Po ashtu falënderoj edhe besimtarët e Xhamisë Reinach në Zvicër që ishin ndër kontribuesit kryesorë në këtë nismë.
Zoti i shpërbleftë ata që japin, Zoti ua lehtesoftë dhimbjen që shkakton varfëria atyre që marrin.
Ne, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përpiqemi me sa mundemi të gjendemi sadopak pranë shtresave të tilla sociale.
Ju deshiroj bajram të gëzuar të gjithëve.” u shpreh Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, znj. Fatma Karaj.
I gjithë procesi, nga gjetja e kurbaneve, therja, paketimi, dhe vendi i shpërndarjes u organizua nga Medreseja e Tiranës.