Me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpërndau 25 ton hurma arabie për besimtarët dhe agjëruesit dhuratë nga mbreti i Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz, për popullin shqiptar, e sjellë në vendin tonë nga Qendra Mbreti Selman për Bamirësi dhe Ndihma Humanitare.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë z. Bujar Spahiu, kryetar i KMSh, z. Faisal Ghazi Hifdhi, ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë dhe Abdulmexhid el-Kahtani, përfaqësues i qendrës bamirëse në fjalë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari Spahiu falënderoi bamirësit me në krye mbretin Selman bin Abdulaziz për këtë dhuratë të vyer dhe ambasadën e Arabisë Saudite në vendin tonë për koordinimin, si dhe i siguroi të gjitha palët për angazhimin maksimal të KMSh-së në bashkëpunime si ky me mbretërinë e Arabisë Saudite dhe ambasadën e saj në vendin tonë.
Ndërsa ambsadori saudit në vendin tonë, z. Hifdhi, u shpreh se nisma si kjo janë shenjë e qartë e solidaritetit dhe dashamirësisë që Mbretëria e Arabisë Saudite ka kundrejt vendeve mike dhe se vendi ynë Shqipëria bën pjesë në krye të këtyre vendeve.
Ngarkesa e plotë e hurmave i është dorëzuar tashmë KMSh-së, e cila po ia shpërndan besimtarëve në mbarë vendin nëpërmjet myftinive të saj nëpër rrethe.
Për një ramazan sa më të begatë!