shaban demirajVitet e gjata të lëngimit përfunduan për profesor Shaban Demirajn. Ai ka mbyllur sytë më 30 gusht 2014, në shtëpinë e tij në Tiranë.

Një autoritet shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë, i laureuar disa herë me Çmim Republike, Mjeshtër i Madh i Punës, ish- kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Demiraj lindi në Vlorë më 1920-n. Arsimin e mesëm e mori në Medresenë e Tiranës, të cilën e përfundoi me gradën “Lavdërueshëm”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në degën e Gjuhës Shqipe e Letërsi në Institutin Pedagogjik 2 vjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Disa vjet punoi si mësues në disa shkolla të mesme. Nga viti 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në Universitetin e Tiranës, ku shërbeu deri në vitin 1990.

Shaban Demiraj ishte një autoritet shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai i solli shkencës gjuhësore shqiptare, por edhe ballkanike, vlera të mëdha përmes shumë veprave monumentale, ku veçohen: “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”, “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, “Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, “Gjuhësi ballkanike”, etj.

Akademiku Shaban Demiraj është po ashtu autor i shumë artikujve shkencorë të botuar në revista shkencore prestigjioze vendëse dhe të huaja për çështje të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës dhe të fonetikës historike, si edhe të ballkanologjisë.

Si pjesëmarrës aktiv në vendimet më të rëndësishme të shqipes standarde, ai ishte njëherësh edhe nga protagonistët kryesorë të përgatitjes së dokumenteve bazë të saj. Mendimit shkencor të akademikut Shaban Demiraj i referohet sot brenda dhe jashtë vendit elita e gjuhësisë së sotme dhe historike. Ai e përfaqësoi me dinjitet shkencën gjuhësore shqiptare në forumet më të rëndësishme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shaban Demiraj, si pedagog dhe si drejtues kërkimor, përgatiti breza studentësh dhe studiuesish. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe shkencore dhe njerëzore. Por ai la pas një vepër të madhe, një pasuri shkencore, një vlerë të madhe kombëtare, një pasuri monumentale për brezat që do të vijnë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe merr pjesë në dhimbjen e tyre.

Zoti e mëshiroftë dhe e pastë nën kujdesin e Tij dijetarin tonë të madh!