lezhe-simpozium (1)Myftinia Lezhë në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti, organizuan një veprimtari shkencore në përkujtim të jetës së personalitetit të shquar, Mësuesit të Popullit, përkthyesit dhe studiuesit Hafiz Ali Ulqinaku.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë z. Viktor Tusha, në fjalët e tyre përshëndetëse vlerësuan lart figurën e Hafiz Ali Ulqinakut.

Studiues të shumtë folën për rolin dhe kontributin e shquar si patriot, gjuhëtar dhe personalitet me vlera të veçanta të H. Ali Ulqinakut, si dhe u theksuan aftësitë e tij gjuhësore, letrare, studimore, dhe shfrytëzimi i këtyre aftësive në shërbim të shoqërisë dhe kombit shqiptar. Kumtesat hodhën dritë gjithashtu mbi vlerën leksikologjike, gjuhësore, dialektologjike dhe sociologjike të fjalorëve të tij.

Temat e trajtuara në simpozium ishin: “Jeta dhe aktiviteti i Hafiz Ali Ulqinakut në dritën e dokumenteve dhe fakteve historike”, Myftiu i Lezhës H. Erton Yzeirllari; “Çështja e Mevludit si tekst shkollor e vlerë kombëtare për gjuhën shqipe”, Myftiu i Ulqinit H. Ali Bardhi; “Jeta dhe vepra e lavdishme e Hafiz Ali Ulqinakut”, Prof. Dr. Mark Vuji; “Personaliteti social-pedagogjik i Hafiz Ali Ulqinakut”, Prof. Dr. Musa Kraja; “Hafiz Aliu-në këndvështrimin Ulqin-Shkodër-Lezhë”, studiuesi nga Ulqini Sutki Malohoxha; “H. Ali Ulqinaku, rilindësi i fundit midis Ulqinit e Lezhës”, Prof. Dr. Tonin Çobani.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të KMSH-së, pushtetit vendor, studiues, akademikë, shkrimtarë, mësues, familjarë dhe dashamirës të mësuesit të nderuar Hafiz Ali Riza Ulqinaku të ardhur nga Ulqini, Shkodra, Lezha dhe Tirana.

Aktiviteti u organizua me rastin e 101 vjetorit të ndërrimit jetë të dijetarit të shquar H. Ali Ulqinaku, më 23 prill 2014, në mjediset e Bibliotekës së qytetit në Lezhë.

lezhe-simpozium (2) lezhe-simpozium (3)