ZK1A8719

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Drejtoria e Burimeve Njerëzore) në bashkëpunim me Universitetin BEDËR (Qendra e Studimeve Islame), organizuan me imamët e Myftinive Elbasan dhe Kavajë seminarin e trajnimit me temë: “Islami dhe Komunikimi në Publik”.

Programi u hap me këndim Kurani dhe fjalën përshëndetëse të nënkryetarit të KMSH-së, z. Bujar Spahiu, i cili foli për rëndësinë dhe vlerën e përçimit së mesazhit islam dhe mënyrën se si duhet bërë kjo, sidomos në kohën tonë. Mes të tjerash z. Spahiu u shpreh se, pavarësisht nga numri i dëgjuesve, Profeti a.s. e përcolli mesazhin islam në mënyrën më të plotë, duke mbajtur parasysh vetëm kënaqësinë e Zotit.

Prof.Dr. Ayhan Tekines, zv/rektor dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, referoi temën: “Rëndësia e unitetit dhe solidaritetit në Islam”. Ai theksoi se me gjithë ndryshimet e mëdha që ndodhin sot në botë, por edhe mes myslimanëve, burimet e fesë Islame mbeten e do të mbesin të pandryshueshme, si dhe pikë referimi e bashkimi për të gjithë myslimanët.

Z. Ramadan Çipuri, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, referoi për temën: “Arti i Komunikimit në Publik”, ku veç të tjerave ftoi imamët që në predikimet e tyre të jenë më koherentë dhe më konciz për të dhënë mesazhin e synuar.

Ndërsa Dr. Muhamed Mutevel’li, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame, foli për metodat e kumtesës dhe karakteristikat e kumtuesit, duke treguar disa norma e rregulla themelore për efikasitetin e kauzës më të rëndësishme në jetën e njeriut.

Programi vijoi me prezantimin e Universitetit BEDËR nga z. Erlis Çela dhe me prezantimin e Departamentit të Shkencave Islame nga z. Elton Karaj.

Në mbyllje për të gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë certifikatat e trajnimit dhe u shtrua një drekë.

12 Prill 2014

ZK1A8467 ZK1A8492   ZK1A8520 ZK1A8555   ZK1A8563

ZK1A8671 ZK1A8706