Në kuadër të projektit mbi promovimin e vlerave demokratike te të rinjtë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi dje (22 Janar 2015) një seminar me të rinjtë e Kasharit.

kashar seminar (4)Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, i pranishëm në këtë seminar, u ndal mbi të drejtat e njeriut që siç u shpreh ai, janë si forca të blinduara që na mbrojnë ne çdo ditë, na mësojnë se si të sillemi, na ngarkojnë me përgjegjësi, na sigurojnë respektin, të vërtetën dhe drejtësinë.

Më tej z. Zaimi sqaroi edhe disa prej vlerave themelore të demokracisë të cilat burojnë njëkohësisht nga parimet e besimit Islam.

“Dy elementë kyç në çështjen e të drejtave të njeriut janë: dinjiteti human dhe barazia, të dy këto vlera që një sistem demokratik i ka si etalon, vijnë drejtpërdrejt nga parimet universale të fesë dhe besimit, konkretisht fesë Islame, pasi islami është një fe e paqes, barazisë dhe e drejtësisë”, theksoi z. Zaimi.

Gjithashtu në seminar u diskutua edhe mbi të qenit aktiv në shoqëri, ku më shumë se çdo kush tjetër këtë rol duhet ta këtë rinia.

Koordinatori i projektit, Fejzi Shaholli, duke falënderuar të rinjtë për pjesëmarrjen nënvizoi edhe njëherë se qëllimi i këtij projekti është që të promovojë vlerat demokratike dhe qytetarisë aktive në mesin e të rinjve myslimane në rrethinat e Tiranës.

Nëpërmjet një seri seminaresh, workshop-esh dhe aktivitetesh sociale dhe kulturore, ky projekt aspiron të ofrojë njohuri mbi parimet demokratike, të drejtat e njeriut, detyrat dhe përgjegjësitë qytetare, tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë midis të rinjve.

Seminari i radhës do të zhvillohet të shtunën në ambientet e Medresesë së Tiranës.

kashar seminar (1) kashar seminar (2) kashar seminar (3)  kashar seminar (5)