Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu bashkë me përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri zhvilluan një takim me Dr. Mark Speich, Sekretar Shteti për Mediat dhe Çështjet Federale, Ndërkombëtare dhe të BE-së në landin e Rinit Verior, Westfali, Gjermani.

Ky takim u përqendrua në rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe harmonisë që ekziston ndërmjet komuniteteve fetare në Shqipëri.

Krerët fetarë nënvizuan domosdoshmërinë e interpretimit të duhur të librave të shenjtë, duke theksuar se feja nuk duhet të ngatërrohet me shfaqjet ekstremiste apo radikale që po shkaktojnë konflikte në shumë vende të botës.

Kryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, vlerësoi rolin e rëndësishëm që feja ka në ruajtjen e vlerave njerëzore, familjare dhe shoqërore, duke përmendur gjithashtu sfidat që komunitetet fetare kanë hasur në procesin e ringritjes pas shkatërrimit të fesë në periudhën komuniste.

Dr. Mark Speich vlerësoi marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri si një shembull të çmuar për gjithë botën, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për adresimin e sfidave të përbashkëta, si dhe çështjen e pronësisë dhe pavarësisë ekonomike të komuniteteve fetare.