Në kuadër të 72-vjetorit të ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar të kulturës islame, Molla Vehbi Ferhati, Shoqata Kulturore “Radomira” promovoi librin dhe dokumentarin me të njëjtin emër, kushtuar jetës dhe veprës së Molla Vehbisë, personalitet ky i përfshirë edhe në botimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me titull: “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”.

Në aktivitetin promovues të zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ndër personalitetet e shquar të kulturës dhe letrave shqipe që morën pjesë, ishte i pranishëm edhe Kryetari i KMSH-së, h. Bujar Spahiu, Kryetari i Shoqatës “Radomira” dhe njëkohësisht autori i librit të lartëpërmendur, z. Hasan Domi, etj.

Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu vlerësoi lartë figurën e Molla Vehbisë për predikimet e tij fetare, morale e shoqërore, predikime të cilat dhanë efekt të madh në popull, duke qenë se ai mësoi dhe edukoi breza të shumtë në zonën e Radomirës e më gjerë, si në Çernishtë, Vleshta, Cereni, Ploshtani, etj.

“Hoxha i nderuar ashtu siç ka qenë një personalitet që bashkon Rilindjen Kombëtare me kohët moderne, është njëkohësisht edhe një urë lidhëse midis brezave të hoxhallarëve të Shqipërisë. Ai është një personalitet i shquar i Komunitetit Mysliman të Shqiptarisë. Jetoi në periudhë shumë të rëndësishme e vendimtare në historinë e shtetformimit dhe ringritjes së identitetit kombëtar. Formimi i tij teologjik, njohës i jurispudencës, por edhe shkencave mjekësore flasin shumë për vullnetin e fortë në kërkim të diturisë që e ka karakterizuar atë.” – theksoi z. Spahiu gjatë fjalës së tij.

Aktiviteti vijoi më tej me referime të ndryshme nga të pranishmit, transmetimin e dokumentarit të realizuar me këtë rast nga Shoqata e Radomirës si dhe promovimin e përmbajtjes së librit, me autor z. Hasan Domi.