Në amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame në Kosovë është promovuar vepra “Ilmihal i zgjeruar”, me autorë: Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri.

Ky botim është rezultat i bashkëpunimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë promovim morën pjesë kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, kryetari i BIK, myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i BFI të RMV-së, Sulejman ef. Rexhepi, përfaqësues nga Bashkësia islame shqiptare nga Zvicra dhe Gjermania, përfaqësues të Këshillave të BIK, dashamirës të fjalës së shkruar, profesorë, përfaqësues të jetës politike, kulturore, studiues shkencor etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i KMSH-së falënderoi grupin e posaçëm të punës nga tri bashkësitë islame shqiptare për hapin e rëndësishëm që ndërmorën në hartimin e këtij ilmihali të përbashkët.

“Ky ilmihal do të jëtë një pikë e fortë referimi dhe orientimi për të gjithë besimtarët e vendeve tona si dhe do të jetë pararojë për përçimin në mënyrën e drejtë dhe të saktë të mesazhit hyjnorë. Jo vetëm kjo por përfundimi i kësaj vepre është tregues shumë i fortë për frytet që mund të dalin në pah në sajë të bashkëpunimit tonë të të tri bashkësivë Islame”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti mbajtën fjalën e rastit edhe kryetari i BIK, myftiu Naim ef. Tërnava dhe kryetari i BFI të RMV-së, Sulejman ef. Rexhepi.