pogradec (1)

“Bota e Përtejme” ishte tema e radhës që u mbajt në xhaminë Bilal në Pogradec, në kuadër të ciklit të bisedave të organizuara nga Komuniteti Mysliman nën titullin “Frytet e Besimit”.

Mbrëmjen e hapi myftiu Namik Mahmutllari, i cili, në rolin e mikpritësit, falënderoi nënkryetarin Bujar Spahiu dhe drejtorin e Burimeve Njerëzore, Dorian Demetja, si dhe në mënyrë të veçantë Komunitetin Mysliman për organizimin e këtyre bisedave të dobishme.

Nënkryetari Bujar Spahiu, duke folur për rëndësinë e besimit në jetën e pasme, u shpreh: “Kjo botë nuk e kënaq dhe nuk e ngop njeriun me aspektin e saj material, por dhe nuk mund t’u japë përgjigje kapaciteteve dhe mundësive të tij, që e përfshijnë gjithësinë siç është imagjinata dhe dëshira për përjetësinë. Prandaj, njeriu që nuk e gjen përgjigjen e kësaj ndjenje në këtë botë, do ta gjejë në botën tjetër.”

Ndërsa Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, z. Dorian Demetja, theksoi se shpeshherë njerëzit harrojnë që një ditë do të largohen dhe lidhen pas kësaj bote. “Çdo gjë në këtë bote është kalimtare, ashtu sikurse edhe vetë jeta jonë. Shpesh ne na rrëmben vrulli i jetës dhe harrojmë që një ditë do të largohemi nga kjo botë, duke lënë pas adhurimin ndaj Zotit, i cili është çelësi i lumturisë për në jetën e përtejme”, tha ndër të tjera z. Demetja.

Kjo atmosferë e ngrohtë besimi u pasurua me këndim Kurani nga imami i xhamisë Dritan Shaho.

Cikli “Frytet e besimit” do të vazhdojë rrugëtimin e tij çdo të martë e të mërkurë pas namazit të akshamit me tema të tjera të larmishme, duke bërë pjesë të tij xhamitë e Tiranës dhe ato në shkallë vendi.

4 Qershor 2014

pogradec (2) pogradec (4)pogradec (3)  pogradec (5)