Xhamia e Golemit me rastin e ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit ka organizuar një program me Kur’an, ligjërata dhe ilahi.

Në këtë program ishin të ftuar nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, myftiu i Gostivarit, z. Shaqir Fetahu, myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, të ftuar nga Kosova, trevat Shqiptare, myftinj nga qytete të Shqipërisë dhe besimtarë të shumtë.

Në fjalën e tij nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu qëndroi mbi rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarjeje dhe mësimet që duhet të marrin besimtarët prej saj.

“Udhëtimi i Profetit, Israja dhe Miraxhi ishin një nder i madh nga ana e Zotit të Lartësuar për Profetin Muhamed a.s. Në këtë udhëtim Profeti mori disa dhurata të çmuara: namazin, dy ajetet e fundit të sures Bekare, dhe premtimit se herët a vonë ata që s’i kanë bërë ortak Zotit, pasi të shpaguajnë gjynahet do të shkojnë në Xhenet”, tha ndër të tjera Spahiu.

Myftiu i Kavajës falënderoi organizatorët, ligjëruesit dhe pjesëmarrësit dhe më pas u ndal tek veçantia e kësaj nate.

“Israja dhe Miraxhi është një nga ngjarjet më madhështore dhe një nga mrekullitë më të mëdha të Profetit Muhamed. Në këtë natë Muhamedi a.s u nderua me dhurata mjaft të çmuara. Namazi i cili ishte një nga dhuratat e kësaj nate, është një nga adhurimet më të lartësuara, është miraxhi i besimtarit”, tha myftiu i Kavajës.

Myftiu i Gostivarit, si i ftuar special në këtë program shtjelloi me gjerësisht këtë ngjarje të veçantë të historisë islame.

“Israja dhe Miraxhi është një ngjarje ku çdo besimtarë në çdo kohë mund të nxjerrë mësime prej saj. Ajo erdhi në një kohë kur Profeti Muhamed a.s humbi gruan e tij të ndershme që ishte krahu i djadht i tij, humbi xhaxhain e tij, i cili ishte një mbështetje e madhe për të dhe ngjarjes së Taifit. Pas gjithë këtyre ngjarjeve udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit ishte një ngushëllim për Profetin Muhamed a.s”, tha ndër të tjera z. Fetahu.

Gjatë programit përshëndetën edhe të ftuar të tjerë, u lexuan ajete Kur’anore dhe u kënduan ilahi.

Në fund të programit imami i xhamisë, Gëzim Abdishahu falenderoi ligjëruesit dhe rikujtoi për besimtarët se muaji i Shabanit dhe i Rexhepit shërbejnë për t’u futut në një atmosferë shpirtërore dhe për t’u përgaditur sa më mirë për muajin e shenjtë të Ramazanit.