Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, Myftinia Elbasan, zhvilloi ditën e djeshme një program fetar kushtuar vlerës dhe rëndësisë së këtij muaji të begatë.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, Drejtori i Kabinetit në KMSH, z. Ejup Lila, zv. Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja, si dhe një numër i konsiderueshëm imamësh dhe besimtarësh të këtij qyteti.

Kjo mbrëmje u hap me lexim Kur’ani, për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të kryetarit Spahiu, i cili pasi falenderoi organizatorët për atmosferën e Ramazanit që solli ky organizim, theksoi rëndësinë e punëve të mira që besimtarët nuk duhet t’i neglizhojnë në këtë muaj për të përfituar nga begatia e tij. Më tej, ai ndau me të pranishmit disa aspekte të 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Së pari dua t’ju falenderoj për këtë organizim të përvitshëm në kuadër të ramazanit, organizim i cili dalë nga dalë po kthehet në një traditë shumë të mirë këtu dhe në të gjitha myftinitë e vendit. Ramazani i këtij viti ne na gjen duke kremtuar edhe 100-vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman. Një vit jubile tepër i rëndësishëm për institucionin tonë dhe kombin gjithashtu.” – tha ai gjatë fjalës.

Ndërsa myftiu i Elbasanit, Agim Duka, foli për rëndësinë që duhet ti kushtohet familjes në muajin e Ramazanit si dhe ndau me të pranishmit disa këshilla për të ruajtur harmoninë dhe unitetin në shtëpitë tona.

Kjo mbrëmje vijoi më tej me ilahi dhe referimet e imamëve, Bilal Teqja dhe Bujar Lala, të cilët ndanë me të pranishmit aspekte të ndryshme të këtij muaji të begatë që po troket sërish në dyert tona.