Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi Të)
Nga Bujar Spahiu
 
Besimi se ekziston një fuqi e lartë e cila kontrollon universin e me këtë edhe ne, njeriut i jep një intuitë që ta shikojë këtë botë nga një prizëm krejtësisht tjetër. Shkatërrimi apo vdekja e çdo gjëje në natyrë, e bashkë me të edhe ringjallja e asaj që shkatërrohet, i jep njeriut një mësim se edhe ai është pjesë e natyrës dhe si i tillë do të pësojë ndryshimin fizik. Kuptimi dhe mendimi i thellë i kësaj e ndryshon njeriun, e bën atë më të dobishëm në atë që është e përhershme. Me kalimtaren e fiton të amshueshmen. E jeta e Muhamedit (a.s.) është shembulli më i mirë për realizimin e saj.
 
Ai zotëri jo vetëm që është nderuar, respektuar dhe është ndjekur rruga e tij profetike nga myslimanët në përgjithësi, por, siç dihet realisht, ai nderohet dhe vlerësohet edhe nga ithtarë të besimeve të ndryshme, të cilët i japin merita për të gjitha çështjet dhe respektohet me nderim nga dijetarë dhe shkencëtarë të mëdhenj, nga politikanë dhe filozofë të shquar, nga akademikë dhe letrarë të njohur të botës. Njëri ndër themeluesit ideologjik të Revolucionit Francez, filozofi Lafajet më 1789 para se të shpalleshin të famshmet “Të drejtat e njeriut”, i kishte studiuar të gjitha sistemet juridike dhe, duke parë lartësinë e drejtësisë islame, kishte thënë:
“O Muhamed! Atë që ti ke sjellë dhe aplikuar në botë, nuk e ka bërë askush tjetër. Ti e ke sjellë drejtësinë në një vend të paarritshëm…!”
 
Edukata morale dhe etike si dhe influenca shpirtërore e Muhamedit (a.s.) ishte aq e thellë dhe e fuqishme, saqë njerëzit të cilët ishin gjysmë të egër, larg civilizimit, arritën të jenë të butë, të mëshirshëm dhe të krijojnë një shoqëri të mrekullueshme e që sot historia e njerëzimit e shikon me lakmi dhe nuk njeh një gjeneratë të tillë diku tjetër.
 
Ai është një njeri i dërguar për ta rishikuar konfiguracionin e tokës dhe për t’i hapur njerëzimit horizonte të reja duke u pajisur me një shpirt dhe kapacitete të posaçme, kështu që vlerësimi i tij i kapërcen kriteret tona. Duke u nisur nga kjo, kushdo që të përpiqet për të treguar për të, nuk do të mundet ashtu siç duhet. Ajo që kalon nga zemra në gjuhë është vetëm si një pikë në gjithësinë e pafund, sepse zemrat dhe gjuhët janë të paafta për ta përshkruar Muhamedin a.s. Ai është njeriu i dimensioneve krejt të veçanta. Ajo çfarë neve na takon të bëjmë, është zelli për ta akorduar veten tonë në vijën dhe frekuencën e tij.
 
Jeta e Profetit Muhamed a.s është e jashtëzakonshme, vlerat më të larta të etikës e moralit janë të mbledhura tek ai. Rrethi i tij i edukimit përfshinte të gjitha shtresat e njerëzimit. Të gjithë popujt, gjuhët, ngjyrat, shtresat shoqërore, sociale dhe kulturore tuboheshin rreth tij. Nuk ka asnjë shënim në të cilin thuhet se dikush e ka pasur të ndaluar të gjendej në rrethin e tij. Rrethi i tij nuk i përkiste vetëm një populli, por i përngjiste një gostie ku njeriu vlerësohej vetëm si njeri pa kurrfarë dallimi tjetër.
 
Kush dëshiron ta përsosë moralin e Tij, le të marrë shembull prej natyrës dhe sjelljeve të shkëlqyera të Muhamedit (a.s.), i cili që prej 14 shekujsh e pasuroi njerëzimin me cilësitë më të larta të moralit. Ky njeri ofron rregulla të moralit të cilat shumë i mungojnë njeriut bashkëkohor, i cili, duke ndjekur dhe duke imituar lloje të ndryshme të etikës, është zhveshur nga normat humane. Në një thënie të tij thotë: “Butësia dhe mirësjellja e cila nuk duket shumë e rëndësishme në këtë botë, nesër në Ditën e Gjykimit do të ketë rëndësi shumë të madhe”.
 
Siç shihet dërgimi i Muhamedit (a.s.) është mëshirë nga Zoti i madhëruar që njerëzit t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrë të drejtë dhe humane, sepse Ai që na krijoi më së miri i di nevojat e krijesave, prandaj përmes Kuranit dhe traditës profetike ofron udhëzime afatgjatë dhe të përsosura.
 
Pejgamberi (a.s.) me moralin e tij të lartë që ia kishte dhuruar Allahu i Lartësuar, i vlerësonte të gjithë njerëzit pa marrë parasysh se cilës feje i përkisnin. Ja një shembull pse njerëzit duhen të krenohen me këtë Profet. Një ditë tek po qëndronte me një shok të tij pranë rrugës, aty kalon një xhenaze hebreu dhe ai menjëherë ngrihet në këmbë në shenjë respekti. Shoku i tij i thotë: “O i dërguari i Allahut! Ai ishte një hebre”, ndërsa Resulullahu (a.s.) pa u zemëruar fare iu përgjigj: “Pse, a nuk është njeri me shpirt edhe ai?!” Pra, mbi të gjitha, është njeri dhe kësaj thënieje nuk mund t’i shtojmë asgjë tjetër. Nëse ne jemi ndjekësit e Krenarisë së Njerëzimit, të kësaj thënieje, nuk kemi se si të mendojmë ndryshe nga ai. Nga kjo thënie dhe sjellje e mirë e Profetit (a.s.), kuptojmë se njeriun ngase është njeri duhet ta duam dhe ta respektojmë, sepse kjo tregon respektin ndaj Krijuesit. Përndryshe nuk do të ishte dashuri dhe respekt i sinqertë.
 
Parim kryesor në kulturën tonë është: të duash krijesat për hir të Krijuesit. Sepse Allahu e krijoi gjithësinë me dashuri. Dashuria është shkaku dhe thelbi i ekzistencës si dhe është lidhja më e fortë për bashkimin dhe marrëdhënien e krijesave njëra me tjetrën. Çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi është një art i Allahut Fuqiplotë. Nga ky këndvështrim, nëse ne nuk i duam njerëzit që janë një art i Allahut, atëherë kemi zemëruar Zotin, ata që i do Ai dhe ata që e duan Atë. Nga kjo pikëpamje, jo vetëm njerëzit, kafshët dhe krijesat duhet t’i duam. Përbuzja dhe nënvlerësimi i tyre do të thotë nënvlerësim i Krijuesit të tyre. Mënyra e sjelljes me njerëzit mbështetet në parimin: t’i duam krijesat për hir të Krijuesit.
Një besimtar, duke filluar nga të afërmit dhe më gjerë, duhet të përhapë dritën e dashurisë, miqësisë dhe të dialogut. Çdo mysliman përballë krijesave të tjera, duhet ta mbushë zemrën e tij me ndjenjën e mëshirës për hir të Krijuesit.
 
Allahu e dërgoi Profetin Musa a.s tek Faraoni dhe i tha: “Thuaji fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet”. Nga ky ajet kuptohet që megjithëse Faraoni e kishte luftuar Musain dhe popullin e tij, ai duhet t’i fliste me një gjuhë të ëmbël dhe me fjalë të buta dhe prekëse. Sepse qëllimi nuk është të hakmerresh, por t’i ftosh njerëzit drejt së vërtetës dhe shpëtimit. Në këtë ajet, pikë kryesore është: “Kaulun Lejinun” pra, fjala e butë. Atëherë personit që është përballë teje cilido qoftë ai, nëse dëshiron t’i shpjegosh diçka, është kusht që t’i flasësh butë dhe të tregohesh tolerant ndaj tij. Përsëri Allahu në Kuran thotë: “Të keqen ktheje me të mirë, sepse atëherë ai me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”.
 
Poshtë këtij titulli shkurtimisht mund të themi që në Islam, bazë kryesore është falja dhe toleranca, sepse Resulullahu (a.s.) thotë: “Bëhu tolerant që të tolerohesh”. Përfundimisht mund të themi se as në Islam, as tek Pejgamberi (a.s.) nuk ekziston urrejtja dhe mëria por dashuria, toleranca dhe durimi janë cilësitë dhe çelësat që hapin çdo derë. Nuk ka dyshim se tek ata që gjenden këto cilësi, nëse sot jo, nesër patjetër do t’i fitojnë të gjitha zemrat.
 
Kur e pyetën nënën e besimtarëve, Aishen r.a se cili ishte morali i Profetit a.s, ajo u ishte përgjigjur: “Morali i Profetit ishte Kur’ani”. Profeti a.s është një shembull i bukur me sjelljet dhe personalitetin e tij të lartë. Në fakt Kur’ani e shfaq Profetin a.s si të vetmin që duhet të merret shembull, ku thote: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.