Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shtroi një darkë Iftari me rastin e Muajit të bekuar të Ramazanit.

Të pranishëm në iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë, përfaqësues nga komunitetet në nevojë, mosha e tretë, paraplegjikë dhe personalitete të ndryshme.

Presidenti Meta pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve tha se ndihet i lumtur që ndajmë së bashku respektimin dhe nderimin për Muajin e madhërueshëm të Ramazanit në një lagje të thjeshtë të kryeqytetit tonë!

“U uroj të gjithë besimtarëve shqiptarë myslimanë, kudo ata ndodhen, një agjërim të mbarë, dhe qoftë përkushtimi juaj ndaj Zotit dhe besimit gjithnjë e më i madh. I uroj çdo besimtari dhe familjeje shqiptare paqe dhe begati, harmoni dhe mirëkuptim, si gjatë këtij muaji të shenjtë, por edhe në çdo ditë të jetës, të jeni të gjithë të rrethuar nga mëshira hyjnore dhe të përmbushur nga dashuria e Zotit. Muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tone”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.