Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në një takim pune Prefektin e Qarkut Tiranë, z. Toni Gogu.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, e uroi prefektin për marrjen e kësaj detyre dhe i uroi atij suksese në përmbushjen e përgjegjësive.

Më tej ai e njohu me kontributin e KMSH-së në kapërcimin e situatës së vështirë që krijoi tërmeti i 26 nëntorit në vendin tonë, si dhe me masat e ndërmarra në kuadër të ndërgjegjësimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejshme të pandemisë Covid-19.

Një tjetër pikë në të cilën u ndal kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij ishte bashkëpunimi i deritanishëm me prefekturën e Tiranës në shërbim të besimtarëve dhe qytetarëve të kryeqytetit.

Ndërsa z. Gogu, pasi e falënderoi kreun e KMSH-së për mikpritjen, vlerësoi kontributin e çmuar që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë jep vazhdimisht në shoqërinë tonë për kapërcimin e situatave si rasti i tërmetit dhe pandemisë dhe në çdo rast tjetër i cilës do natyrë qoftë.

Takimi ndërmjet palëve vijoi më tej me diskutime të ndryshme mbi bashkëpunime të mundshme në të ardhmen e afër ndërmjet dy institucioneve.

Kryetari Spahiu u shoqërua në takim nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, ndërsa prefekti Gogu ishte i shoqëruar nga zv. Prefekti, z. Bashkim Haxhiu.