Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia e Dibrës, organizuan në ambientet e Pallatit të Kulturës simpoziumin me temë: “Kurani dhe mesazhi universal i tij”

Në aktivitet morën pjesë dhjetëra besimtarë dhe besimtare të qytetit të Peshkopisë.

Programi u hap me lexim Kurani, për të vazhduar më tej me fjalën përshëndetëse të myftiut të zonës, z. Muis Kurtulla, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në rëndësinë e Kuranit. Gjithashtu ai nuk la pa përmendur edhe disa nga mësuesit e Kuranit të cilët kanë kontribuar në mësimin e Kuranit në zonën e Dibrës.

Si përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nënkryetari z. Lauren Luli, fillimisht falënderoi organizatorët dhe besimtarët e pranishëm për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet.

“Të flasësh për fjalën e Allahut në një vend me kaq vlera dhe kontribut të dhënë në mësimin e Kuranit famëlartë i jep më shumë vlerë këtij programi. Kjo zonë ka patur mjaft hafizë dhe mësues të cilët pavarësisht kushteve kanë shërbyer në rrugën e Zotit pa u lodhur. Me rastin e këtij aktiviteti dua të falëndëroj të gjithë mësuesit e Kuranit dhe të gjithë studiuesit e tij.” – tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e imamit të Xhamisë së Et’hem Beut, z. Elton Karaj, i cili theksoi rëndësinë e leximit dhe studimit të Kuranit.

“Duhet të falënderojmë Allahun që na dërgoi Kur’anin dhe Profetit Muhamed a.s për të na shpjeguar fjalët e tij. Besimtari duhet të ketë një lidhje shumë të fortë me Kur’anin. Profeti Muhamed a.s thotë se në një vend ku Kur’ani ekziston fizikisht por nuk lexohet ajo shtëpi është e shkretë dhe Kurani në atë vend është i huaj. Është shumë e rëndësishme që të ndjejmë respekt ndaj Kuranit, ta studiojmë atë dhe të aplikojmë këshillat e tij në jetën tonë”, tha ndër të tjera z. Karaj.

Më tej, imami i Xhamisë së Re të Peshkopisë z. Sait Tafa, në fjalën e tij theksoi disa cilësi të Kuranit.

“Kurani është libri i Zotit, është mrekullia më e madhe e Profetit Muhamed a.s., Në Kuran ka histori dhe rrëfime të popujve të mëparshëm. Kurani na flet për këtë botë dhe për Ahiretin. Kurani është rruga e Allahut. Kurani orienton egon e njeriut. Gjithashtu dijetarët nuk ngopen asnjëherë së lexuari dhe komentuari këtë libër”, tha imami Sait Tafa.

Në fund të aktivitetit ishte radha e autorit të librit “Tefsiri i sures Fatiha”, z. Xhemal Balla, të ndante me të pranishmit një analizë të shkurtër gjuhësore e kuptimore të këtij botimi. i cili e sjell këtë punim si përmbledhje të përkthimit dhe të komentimit të sures “Fatiha” të Kur’anit nga veprat e dijetarëve myslimanë, H. Vehbi Dibra, me titull “Ç’urdhëron Kur’ani”; H. ibrahim Dalliu, me titull “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”; dhe H. Ali Korça “Tefsiri i sures Fatiha”, botuar në revistën “Zani i Naltë”.

 “Surja Fatiha është si një burim i madh dhe suret e tjera janë si rrjedhë e këtij burimi. Surja Fatiha përfshin bazat themelore dhe mësimet kryesore të Kur’anit Fisnik, rrjedhimisht edhe të gjithë librave të shpallur nga Zoti i Madhëruar. Kjo sure shihet si parathënia e Kur’anit, në të cilën përmblidhen shumë të vërteta të patundshme që shpjegohen me hollësi në sure të tjera të tij” – tha ai.

Pas fjalës së tij u shpërnda literatura e revistës drita islame, Kurani dhe tefsiri i lartpërmendur për të gjithë besimtarët e pranishëm.