Nën një ceremoni të ngrohtë shpirtërore është përuruar ditën e djeshme në Barbullush të Shkodrës, qendra kulturore pranë xhamisë së këtij fshati.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu, Drejtori i Vakf-Investimeve dhe Financës në KMSh, z. Edison Hoti, Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, drejtuesi për Ballkanin i fondacionit “Rahmeh International” në Kuvajt, z. Isa Dhewadi, drejtori i fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, drejtori i fondacionit “Mirënjohja”, z. Samed Shehu, si dhe dhjetëra imamë dhe besimtarë të zonës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, donatorët dhe të gjithë ata që bënë të mundur ndërtimin e kësaj qendre kulturore kaq të rëndësishme për besimtarët e fshatit Barbullush, u ndal në rëndësinë e objekteve të tilla në edukimin e brezave me frymën e vërtetë të Islamit sipas parimeve të Kuranit Famëlartë dhe traditës së bukur Profetike.

“Shpirti i fesë tonë, krahas adhurimit individual, është edhe dija, mësimi dhe përhapja e saj. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka patur dhe do të ketë në vëmendjen e punës së përditshme gjithmonë këtë mision. Dhe rasti i inagurimit të kësaj qendre kulturore sot këtu në Barbullush është një dëshmi e vendosmërisë tonë për t’i kthyer xhamitë në qendra edukimi, por edhe më tej, të ngrejmë qendra të tilla, si kjo që po inagurojmë sot këtu, kudo ku të mundemi me shpresën e përhapjes së mesazhit të qartë e të pastër të kësaj feje kaq të bukur që përfaqësojmë.” – u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Myftiu i Shkodrës, z. Sytari, falenderoi donatorët nga Kuvajti, pikërisht fondacionin ‘Rahmeh International’, i cili afroi këtë projekt bamirës arsimor dhe kulturor për fëmijët e kësaj zone dhe jo vetëm, për të mësuar përmes kurseve fetare Kuranin, edukatën islame si dhe për të marrë mësimet dhe bekimet e shtëpisë së Zotit.

“Në fakt, me këtë qendër po i bëjmë një shërbim të madh dhe të vyer thirrjes Islame, po i bëjmë një shërbim të madh xhamisë tonë, duke uruar dhe shpresuar që si institucione fetare të bëjmë përpjekjen e duhur që xhamitë e mëdha në zona të ndryshme të Shkodrës të kenë qendra të tilla kulturore dhe edukative” – tha Myftiu Sytari në fjalën e tij.

Përshëndetjet u mbyllën me urimet e drejtuesit për Ballkanin të fondacionit “Rahmeh International”, z. Isa Dhewadi dhe drejtorit të shoqatës “Mirësia”, z. Korab Kaja, të cilët falenderuan institucionet islame, KMSh-në dhe Myftininë Shkodër, për bashkëpunimin dhe mundësinë për të ofruar këtë bamirësi dhe qendër islame kulturore dhe edukuese për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj zone.

Më tej, të lartëpërmendurit prenë në mënyrë simbolike shiritin e inaugurimit të kësaj qendre kulturore.

Në fund, të gjithë bashkarisht vizituan ambientet e saj.