Drejtues të lartë të shtetit dhe personalitete të jetës fetare, politike e shoqërore kanë vizituar sot selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, përmes një mesazhi drejtuar besimtarëve mbarë vendit uroi që kjo të jetë dita e përqendrimit të vëmendjes së secilit ndaj shërimit të plagëve, sheshimit të kontradiktave, harrimit të sherreve, me anë të ndërgjegjësimit se paqja e të gjithëve nuk mund të arrihet ndryshe veçse përmes mëshirës së Zotit.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, në mesazhin e tij theksoi se kjo festë ka në thelb të saj sakrificën dhe solidaritetin me të tjerët. “Kjo ditë nxit për më shumë falje, tolerancë, mirëkuptim dhe për të treguar një solidaritet më të madh me ata qytetarë që ndihen më në nevojë dhe që kanë me shumë nevojë për mirësi dhe solidaritet.”, u shpreh kryeparlamentari Meta.

Edhe  kryeministri i vendit z. Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka uruar besimtarët  për Kurban Bajram.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, gjatë vizitës në KMSH, uroi të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin dhe bëri thirrje për më shumë barazi në këtë ditë të shenjtë, me shpresën se kjo festë do të sjellë  mbarësi dhe të mira për të gjithë.

Ndërsa në emër të kryetarit të Partisë Demokratike, mesazhin e urimit  e përcolli nënkryetari z. Edmond Spaho.

Mesazhe urimi përcollën edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Gjenerali i Forcave të Armatosura, z. Jeronim Bazo, prefekti i Qarkut të Tiranës, z. Sadi Vorpsi, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet z. Ilir Dizdari, deputetë, politikanë, përfaqësues të partive politike në vend, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, kreu i Vëllazërisë Ungjillore në Shqipëri z. Ali Kurti, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Don Henry, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh besimtarësh e qytetarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë drejtues të lartë të shtetit dhe personalitetet e jetës fetare, politike e shoqërore, si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj dite të shënuar.

24 Shtator 2015

KMSH0434KMSH0403KMSH0463KMSH0439

KMSH0361      KMSH036812045709_956075024453053_2998125192123557444_oKMSH0380