Menjëherë pas përfundimit të programit të Fitër Bajramit në “Sheshin Skënderbej”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hapi dyert për të pritur vizita me rastin e kësaj feste.

Për të përcjellë mesazhet e urimit në Komunitetin Mysliman ishin ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, kryebashkiaku i Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, drejtues të institucioneve shtetërore, lokale, përfaqësues të subjekteve politike, trupit diplomatik, personalitete të jetës publike, të fushës së artit, medias, biznesit, etj.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Katolike, George Frendo, dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj si dhe përfaqësues të tarikateve, Kryetari i Tarikatit Rufai, Shejh Qemaludin Reka dhe Kryetari i Tarikatit Kadiri, Shejh Bujar Harasani.

Në mesazhet e tyre drejtuar Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ata shprehën urimet dhe përshëndetjet e tyre të sinqerta për sakrificën e besimtarëve myslimanë gjatë muajit të bekuar të Ramazanit që lamë pas si dhe uruan besimtarët për më shumë mirësi në familje dhe shoqërinë tonë të përbashkët.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë ata që morën pjesë në këto vizita si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj feste.