Mbrëmjen e 5 qershorit 2013 dhjetëra besimtarë u mblodhën në xhaminë Et’hem Beut në Tiranë për të adhuruar Zotin, për t’u lutur, e kënduar Kur’an në natën e shënuar të Miraxhit, natë në të cilën profeti Muhamed (a.s.) kapërceu qiejt dhe komunikoi drejtpërsëdrejti me Krijuesin e Gjithësisë.

nata e mirazhit (1)

Në kuadër të tre muajve të begatë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi të mërkurën në mbrëmje një program fetar me rastin e Natës së Miraxhit në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë.

Duà, këndim Kur’ani e ilahi, kanë gjallëruar këtë natë të shënuar, duke bërë që ajo të përjetohet me emocion nga besimtarët myslimanë të kryeqytetit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nënkryetarët Bujar Spahiu e Gazmend Aga, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, hafizë, grupi i ilahive të Universitetit Bedër si dhe dhjetëra besimtare  e besimtarë të Tiranës.

nata e mirazhit (2)Në fjalën e tij nënkryetari Gazmend Aga, duke e cilësuar këtë natë si të bekuar shpjegoi edhe rëndësinë e kësaj nate për besimtarët myslimanë të cilët duhet të përkushtohen dhe t’i shtojnë edhe më shumë lutjet dhe veprat e mira me synim përfitimin e kënaqësisë së Allahut. “Një prej veçorive të kësaj nate është edhe “miraxhi”, afrimi me Zotin, vetë korrektesa me zemrën tonë. Sonte është nata ku duhet të flasim pa doreza me zemrën tonë, t’i themi vetes se jeta është e shkurtër, se do të vijë një ditë që do të largohemi nga kjo botë  dhe do të përballemi me veprat tona, prandaj duhet të pendohemi përpara Allahut e të jemi më të devotshëm dhe më të lidhur me namazin”,  u shpreh ai.

Më tej z. Aga foli mbi rëndësinë e figurës së profetit Muhamed teksa tha: “Poetët e kanë cilësuar si diamanti mes gurëve, dijetarët e kanë cilësuar si gradën më të lartë ku mund të arrijë qenia njerëzore, atë e kanë cilësuar si  Krenaria e Njerëzimit, i cili sakrifikoi jetën e vet vetëm e vetëm që umeti i tij të shihte dritën e besimit.”

Ndërkohë Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, u shpreh se kjo natë në të cilën Allahu zgjodhi të takojë robin e tij të dashur, Muhamedin, është nata e lartësimit, nata e sihariqit më të madh, nata e dhuratave më të mëdha të dhëna ndonjëherë të dërguarit, nata kur Allahu lartësoi Resulullahun e ndërsa njeriu lartësohet përmes namazit. “Çdo namaz, çdo lutje, çdo falje është për besimtarin në vetvete një miraxh, një lartësim tek Zoti, pasi mëshira e tij është e pafundme”, theksoi z. Gurra.

nata e mirazhit (3)Gjithashtu myftiu foli edhe mbi rëndësinë e Islamit në vendosjen e ekuilibrave, drejtësisë  e barazisë mes njerëzve dhe shoqërisë mishëruar në thënien profetike “duaj për fqinjin atë që do për veten”.

Në mbyllje të programit nënkryetari i KMSH-së Bujar Spahiu bëri një dua e shoqëruar  me “Amin” nga besimtarët e pranishëm.

Bota islame ka përkujtuar mbrëmë me lutje këtë natë, e cila pranohet si nata kur profeti Muhamed (a.s.) doli para Allahut.  Nata e Miraxhit simbolizon afrimin e njeriut me Krijuesin.

Miraxhi i Profetit i bashkoi besimtarët në një rrugë të vetme, në një drejtim të vetëm, në rrugën e mbarësisë për njerëzimin. Miraxhi i Profetit u hapi rrugën brezave për t’i njohur, studiuar e shfrytëzuar botët. Miraxhi i Profetit mbylli kapakun e injorancës e i ftoi njerëzit për dije të gjithanshme. Miraxhi i Profetit (a.s.) u bën thirrje njerëzve të bashkohen e të jetojnë në paqe në këtë jetë. Vlerat e Miraxhit janë të shumta dhe çdo ditë e më tej ato bëhen më të nevojshme, më madhështore.

5 Qershor 2013

 

nata e mirazhit (4)